Rritja ekonomike në Kosovë nuk përballon fluksin e të rinjve që duan punë

Viti 2019, ishte shpallur si vit i ekonomisë në Kosovë nga qeveria tashmë në largim. Por, përkundër rritjes prej pak më shumë se 4 për qind, sa e ka prezantuar Qeveria e Kosovës, sipas ekspertëve, në planin ekonomik nuk ka ndodhur ndonjë ndryshim i madh pozitiv.

Problemet si papunësia, varfëria dhe deficiti i lartë tregtar, sipas ekspertëve, vazhduan të kenë një trend gati të njëjtë me vitet paraprake.

Reklama e sponzorizuar

Eksperti i ekonomisë, Naim Gashi në një bisedë për Radion Evropa e Lirë thotë se viti 2019 nuk mund të quhet si vit i ekonomisë. Sipas tij, rritja ekonomike në Kosovë u mbështet në konsumin e lartë dhe jo në investimet publike e private që ndodhin brenda një ekonomie nacionale.

Kjo rritje ekonomike, thotë Gashi, nuk arriti t’i adresojë problemet ekonomike dhe sociale me të cilat përballet vendi.

“Fatkeqësia më e madhe është se ekonomia e Kosovës edhe pse ka rritje ekonomike prej 4.2 për qind, nuk po arrin të përballojë fluksin prej 23 mijë të rinjve të cilët për çdo vit futen në tregun e punës. Po të mos ishte imigracioni i lartë, Kosova do të përballej me vështirësi edhe më të mëdha ekonomike”, thotë Gashi.

Papunësia në Kosovë sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës gjatë vitit 2019, është 29.6 për qind. Nga mbi 1.2 milion qytetarë të Kosovës, të cilët llogaritet se kanë moshën për punë, të punësuar janë rreth 350 mijë qytetarë.

Një trend tjetër, sipas Naim Gashit, negativ që e ka përcjell ekonominë gjatë viti 2019, është edhe rënia e investimeve të huaja direkte. Ai thotë se ky ishte një indikator që tregon se ekonomia e Kosovës nuk është atraktive për investitorët e jashtëm të cilët siç, thotë Gashi, janë jetikë për rritje afatgjate ekonomike dhe gjenerim të vendeve të reja të punës.

Bilanci negativ tregtar, thekson Gashi, është një problem tjetër që ka përcjellë ekonominë e Kosovës.

“Importi ka tejkaluar 3 miliardë euro dhe kjo tregon që prodhimi vendor nuk po arrin të plotësojë nevojat e konsumatorëve brenda Kosovës dhe paraja e gatshme – “cash” që kryesisht po vjen nga diaspora po shkon në blerjen e mallrave jashtë vendit”, shton Gashi.

Në anën tjetër, Banka Qendrore e Kosovës në konferencën e fundivitit të mbajtur javën e kaluar, e ka vlerësuar vitin 2019 të qëndrueshëm në aspektin financiar.

Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, Fehmi Mehmeti ka bërë të ditur se sektori bankar në vitin 2019 kishte rritje të lartë të kreditimit, përmirësim të kushteve për qasje të sektorit privat në kredi, si dhe rritje të qëndrueshmërisë financiare.

Deri në fund të tetorit 2019, kreditë e sektorit bankar, sipas të dhënave të BQK-së, kanë arritur vlerën prej 2.98 miliardë euro. Burimi kryesor i financimit të aktivitetit të sektorit bankar vazhdojnë të jenë depozitat, shuma e të cilave gjatë kësaj periudhe arriti në 3.75 miliardë euro.

Mehmeti ka thënë se bazuar në vlerësime preliminare, rritja ekonomike për vitin 2019 pritet të jetë rreth 4.2 për qind.

“Kjo rritje ekonomike është e mbështetur kryesisht nga rritja e investimeve dhe përmirësimeve në eksportet neto. Ritëm i ngjashëm i rritjes ekonomike, sipas parashikimeve të BQK-së, pritet edhe në vitin e ardhshëm”, ka thënë Mehmeti.

Në anën tjetër, ekspertët e ekonomisë presin që Qeveria e ardhshme e Kosovës e cilat pritet të krijohet në vitin 2020, të fokusohet në krijimin e një klime të favorshme politike dhe institucionale, forcimin e rendit dhe ligjit dhe përmirësimin e infrastrukturës sa u përket shërbimeve publike.

“Një element tjetër me rëndësi është që duhet të investohet më shumë në sistemin arsimor dhe të bëhet një ndërlidhje e sistemit arsimor me tregun e punës për faktin se ne po kemi mijëra të rinj që po përfundojnë studimet dhe në fakt nuk janë adekuat për tregun e punës në Kosovë”, thotë Gashi.

Buxheti i Kosovës për vitin 2019 ishte 2.3 miliardë euro.