‘Prapaskenat’ e vendimit 9 milionësh të Pal Lekajt për kompanitë ajrore

Mediumi “Ex-You Aviation News”, në një shkrim të gjatë të botuar së fundi, ka zbuluar ‘prapaskenat’ e vendimit të fundit të ministrit të Infrastrukturës Pal Lekaj, përmes të cilit do të ndahen nga arka e shtetit plot 9 milionë euro në formë subvencionesh për kompanitë ajrore që operojnë në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”.

Sipas këtij mediumi që citon zyrtarë vendor, ky subvencion është bërë në emër të rritjes së numrit të udhëtarëve në këtë aeroport dhe rritjes së konkurrueshmërisë me rajonin, përcjellë Buletini Ekonomik.

Reklama e sponzorizuar

Vendimi nga Ministria e Infrastrukturës në Kosovë është marrë me datën 24 të muajit shtator të këtij viti.

“Qeveria e Kosovës ka miratuar planet për të siguruar 9 milionë euro subvencione për kompanitë ajrore që operojnë në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari. Ministria e Infrastrukturës beson se ky vendim do të ndikojë që biletat e kompanive ajrore të jenë më të përballueshme dhe do të rrit të ardhurat”, thuhet në shkrimin e këtij mediumi.

Vendimi thuhet se është marrë pas kërkesës së Aeroportit të Prishtinës drejtuar Qeverisë së Kosovës, me qëllimin për t’i stimuluar kompanitë ajrore dhe për të shmangur humbjen e pasagjerëve në aeroportet e Shkupit dhe Nishit.

“Ne besojmë fuqimisht se ky program nxitës, i mbështetur nga qeveria, do të jetë një faktor kryesor për të siguruar një konkurrencë të ndershme dhe të qëndrueshme në aeroportin tonë dhe t’u sigurojë udhëtarëve tanë një zgjedhje më të madhe të destinacioneve. Si rezultat, kjo do të ndikojë indirekt dhe pozitivisht në tarifat dhe ritmin e rritjes në Aeroportin e Prishtinës ”, citohet përgjigja e Autoritetit të Aviacionit Civil të Kosovës.

Në shkrim tutje thuhet se “këtë vit kemi parë themelimin e bazës në Prishtinë nga Eurowings – kompani ajrore që operon me kosto të ulëta”. Kjo kompani do të prezantojë fluturimet për në Vjenë javën e ardhshme, e cila do të pasohet nga lëshimi i Wizz Air një ditë më vonë.

“Wizz më parë tha se ishte “duke e studiuar tregun në Kosovë”, duke sqaruar se për momentin nuk e ka në plan të hyjë në treg, por që mund ta bëjë këtë në një fazë të mëvonshme. Po ashtu, British Airways kohët e fundit njoftoi se do të rifillonte operacionet sezonale në Kosovë në vitin 2020”.

Menaxheri i Planifikimit të Fluturimeve në Aeroportin e Prishtinës, Driton Hyseni, siç shkruan “Ex-You Aviation News”, citohet të ketë thënë në fillim të këtij viti se qeveria duhet të sigurojë fonde për linjat ajrore për aeroportin që të mbetet konkurrues ndaj homologëve të tij rajonal.

“Ka ardhur koha që ne të ofrojmë mbështetje më të madhe për linjat ajrore, e cila do t’u ofronte bashkatdhetarëve tanë udhëtim më të përshtatshëm dhe të përballueshëm. Për më tepër, një mbështetje e tillë do të shtonte numrin e vizitorëve të huaj në Kosovë, gjë që do të gjeneronte të ardhura shtesë dhe më shumë punë në industrinë e aviacionit”. /Buletini Ekonomik/