Sindikata e Telekomit thonë se Valdrin Lluka nuk i delegoi 1.5 milionë euro që i ndau qeveria

Sindikata e punëtorëve të Telekomit po e akuzojnë ministrin në detyrë të Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Llukën që nuk i ka deleguar 1.5 milionë euro, të ndara nga Qeveria e Kosovës, shkruan Gazeta Express.

Kryetari i federatës sindikale të PTK-së, Lamih Balaj në një përgjigje për Gazetën Express ka thënë se 1.5 milionë euro janë ndarë nga ministria e financave për mirëmbajtje dhe për Country Code. Të njëjtat sipas tij janë shpërndarë në ndërmarrje tjera jo në Telekom.

“Sipas informative që i kam nga Menaxhmneti i Telekomit, Ministria e Financave i ka ndalë 1.5 milionë euro për Telekomin, me arsyen që të fillohet procedura e mirëmbajtjes dhe Country Code. Këto mjetet sipas informative janë shpëndarë në ndërmarrje tjera dhe jo për Telekomit ku kanë qenë të deleguara”, thotë Balaj.

Reklama e sponzorizuar

I njëjti shton se kjo është një goditje nga Ministria dhe Qeveria për Telekomin e Kosovës, teksa ka kërkuar që ministri në detyrë Lluka të deklarohet për rastin.

“Kjo është një goditje nga vetë ministria dhe Qeveria për Telekomin e Kosovës. FSP – PTK kërkon të deklarohet ministri i MZHE-së z.Lluka rreth këtij rasti. Gjithashtu kërkojmë nga ministri aktual dhe qeveria që mjetet të cilat i janë humbur Telekomit me rastin e falimentimit të bankës kreditore t’i kthehen sa më parë Telekomit sepse është obligim i shtetit dhe BQK-së t’i kthej këto mjete”, ka thënë ai

Për këto mjete sot gjatë ditës ministrit në detyrë Lluka i ka reaguar edhe krye shefi i Telekomit, Bedri Istrefi.

Përmes një shkrimi në Facebook, Istrefi ka shkruar se Lluka po e rrezikon sigurinë nacionale, derisa, tutje ka thënë se i njëjti e ka dëmtuar kompaninë publike me deklaratat e tij.