Kosova gjatë muajit nëntor importoi dhjetë herë më shumë sesa eksportoi

Fotografi ilustruese

Të dhënat nga tregtia e jashtme e mallrave në Kosovë për muajin nëntor tregojnë për një deficit tregtar më të larët për 9.2 për qind në raport me periudhën e njëjtë të vitit 2018.

Kështu thuhet në raportin “Statistikat e tregtisë së jashtme, nëntor 2019”, të publikuar nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK).

Agjencia thotë se eksporti mbulon importin me 11.9 për qind.

Reklama e sponzorizuar

“Eksporti i mallrave në muajin nëntor 2019 kishte vlerën 35.3 milionë euro, ndërsa importi 297.6 milionë euro që është një rritje prej 1.9 për qind për eksport si dhe 8.3 për qind për import duke krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2018. Sipas të dhënave të grupeve kryesor të eksportit, 32.5 për qind të eksporteve e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre, 14.1 për qind plastikë, gomë dhe artikuj prej tyre, 9.8 për qind ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani, 7.6 për qind produktet minerale, 6.3 për qind produktet bimore, 5.9 për qind makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike dhe 5.8 për qind artikuj të ndryshëm të prodhuar. Ndërsa, sipas të dhënave të grupeve kryesor për import e përbëjnë, 13.7 për qind produktet minerale, 13.5 për qind makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike, 12.4 për qind ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani, 10.5 për qind metalet bazë dhe artikujt prej tyre, 8.6 për qind mjetet e transportit, 6.9 për qind produkte të industrisë kimike dhe 6.5 për qind plastikë, gomë dhe artikuj prej tyre”, thuhet në raportin e ASK-së, përcjell Telegrafi.

Për sa i përket tregtisë me vendet e Bashkimit Evropian, eksportet e Kosovës arritën në 15.6 milionë euro, kurse importet 141.6 milionë euro.

“Eksportet e Kosovës në vendet e BE-së arritën në 15.6 milionë euro ose 44.1 për qind e eksporteve të përgjithshme, me një rritje prej 48.8 për qind. Partneret kryesor për eksportin e mallrave në BE janë Italia me 14.1 për qind, Gjermania me 10 për qind, Holanda me 4.6 për qind dhe Britania e Madhe me 2.2 për qind. Ndërsa importet ishin 141.6 milionë euro ose 47.6 për qind e importeve të përgjithshme, me një rritje prej 12.5 për qind. Importet me pjesëmarrje me të lartë ishin nga Gjermania me 13.5 për qind, Italia me 5.5 për qind, Bullgaria me 3.8 për qind, Sllovenia me 3.3 për qind dhe Polonia me 3.3 për qind”, vijon raporti, përcjell Telegrafi.

ASK në raport thotë se Kosova drejt vendeve të CEFTA-së ka arritur të eksportoj 13.7 milionë euro, ndërsa ka importuar 41.3 milionë euro.

“Në muajin nëntor 2019, eksportet e Kosovës me vendet CEFTA-së arritën në 13.7 milion euro ose 38.8 për qind të eksporteve të përgjithshme, me një rënie prej 10.7 për qind. Partner kryesor për eksport nga vendet e CEFTA-së janë Shqipëria me 14 për qind, Maqedonia me 12.6 për qind, Serbia me 5.5 për qind dhe Mali i Zi me 4.8 për qind. Ndërsa, importet arritën në 41.3 milionë euro ose 13.9 për qind të importeve të përgjithshme, me një rënie prej 26 për qind. Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import ishin Maqedonia me 6.7 për qind, Shqipëria me 5.8 për qind dhe Serbia me 0.1 për qind”, përfundon raporti.

Eksportet e Kosovës me vendet tjera arritën në 6 milionë euro ose 17.1 për qind. Si partner më të rëndësishëm nga këto vendet për eksport vlen të përmendën Zvicra me 9.1 për qind dhe Turqia me 3.7 për qind, kurse importet arritën në 114.6 milionë euro ose 38.5 për qind. Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import në këtë grup ishin Turqia me 15.9 për qind dhe Kina me 9.8 për qind.