Haradinaj: Taksa ka qenë goditje për Serbinë, Qeveria e re bën gabim nëse e heq

Kryeministri në detyrë Ramush Haradinaj, deklaroi se viti 2019 ka qenë vit i ekonomisë për Kosovën. Ai nuk ka lënë pa e përmendur edhe njëherë taksën që i është vendosur Serbisë.  Kryeministri  ka thënë  se pas vendosjes së taksës, Kosova për herë të parë e ka zbuluar vendin e saj në ekonomi.

“Për herë të parë e kemi zbuluar veten se kush jemi në ekonomi sepse taksa na ka futur të ballafaqohemi me vetveten. Për Serbinë ka qenë një goditje, ju kërkojmë falje”,  ka thënë Haradinaj.

Haradinaj ka kërkuar nga qeveria e re në formim të mos e heqë taksën, pasi sipas tij taksa duhet të hiqet vetëm nëse Serbia e njeh Kosovën si shtet.

Reklama e sponzorizuar

“Qeveria e re bën gabim nëse tenton të heqë taksën, qeveria nuk mundet ta heqë taksën por vetëm qeveria e Serbisë nëse njeh Kosovën. Ne nuk ja kemi asnjë borxh ndërkombëtarëve për taksën. Ne jemi më shumë të rrezikuar nga Serbia për ekzistencën tonë. Nuk është e mirë që qeveria e ardhshme të heqë taksën”, u shpreh Haradinaj duke shtuar se nuk do të votojë qeverinë Kurti pasi siç tha ai tani do të jenë në opozitë.

Shefi në largim i Qeverisë së Kosovës ka deklaruar se nuk ka pasur qëllim që t’i dëmtojë prodhuesit vendor.

“Nuk kemi pasur qëllim me i dëmtuar prodhuesit vendor, për herë të parë e njohim vetën në prodhim . Që e kemi rritur vetëbesimin në prodhim dhe qytetari  e Kosovës është njoftuar me to. Është rritur për 30% eksporti i Shqipërisë në Kosovë”.

Kurse, kryetari i AKB-së, Agim Shahini, ka njoftuar se Kosova mbetet konsumues i produkteve të huaja me 89% derisa vetëm 11% është eksport.

Ai theksoi se taksa ka rritur qarkullimin e brendshëm për 100 milionë si dhe punësimin e të rinjve rreth 5 mijë.

Shahini e vlerësoi vitin 2019 si deficit i madh për tregun e punës derisa potencoi se taksa ka pasur efekt të madh.

“Sot jemi këtu bashku për një përmbyllje të vitit 2019. AKB e vlerëson 2019 si deficit tregtar dhe të madh të forcës së punës. Sepse 89% mbetet ende Kosova konsumuese e produkteve të huaja, vetëm 11% kemi eksport. Ne vareni shumë nga importi dhe partnerët kryesor ka qenë BE kurse në rajon Shqipëria. Taksa 100% ka arritur një efekt të madh të vendit”.

Shahini kërkoi nga qeveria e ardhshme të mbështesë taksën, pasi siç tha ai kjo taksë ka zgjuar SHBA-në, Evropën dhe Rusinë.

Ndër të tjera, Shahini theksoi se janë zbehur investimet e huaja, e gjithë kjo për shkak të dialogut me Serbinë dhe Gjykatës Speciale.

“Efekti i taksës ka qenë i madh dhe ka rritur qarkullimin e brendshëm mbi 100 milionë dhe punësimin e të rinjve 5 mijë. Andaj qeveria e ardhshme duhet të mbështesë taksën, pasi taksa është aset negociues politik, diplomatik dhe ekonomik. Kjo taksë ka zgjuar nga gjumi, SHBA, Evropën por edhe Rusinë. Kufijtë e Kosovës të mbesin të qëndrueshëm, derisa ka ndikuar negativisht të investitorët e huaj,  pasi dialogu me Serbinë ka promovuar që në Kosova mund të ketë luftë apo trazira dhe ka marrë konotacion të zbehtë”, tha Shahini.

Kujtojmë se më 21 nëntor të vitit të kaluar, Qeveria e Kosovës mori vendimin që të vendosë taksë 100 % ndaj Serbisë dhe Bosnjë Hercegovinës.

Kosova brenda një viti, të paktën zyrtarisht, importon nga Serbia mallra në vlerë 400 milionë euro. Por, tashmë kur janë bërë një vit nga vendosja e takës Serbia ka humbur  99 për qind të tregut të Kosovës.

Që nga 21 nëntori i vitit të kaluar, vlera e produkteve të importuara nga Serbia në Kosovë është 4 milionë euro, kurse nga Bosnjë e Hercegovina, 2 milionë euro. /Monitor.al/