GLPS-ja thotë se prapa zgjedhjes së dy prokurorëve “fshihet një marrëveshje”

Grupi për Studime Juridike dhe Politike me anë të një komunikate reagon në lidhje me procesin e emërimit të kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës dhe kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë.

“Ky proces i menaxhuar tërësisht nga Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) paraqet tentativën e dytë të KPK-së për emërimin e kryeprokurorit të PSRK-së. Rikujtojmë që konkursi për përzgjedhjen e kryeprokurorit të PSRK-së është zhvilluar në fillim të vitit 2019 dhe i njëjti është anuluar me datën 25 prill, meqenëse është vlerësuar që rregullorja që përcaktonte mënyrën e përzgjedhjes së tij ishte jo-kushtetuese. Prandaj, si rrjedhojë kanë ndodhur ndryshimet legjislative dhe është amandamentuar Rregullorja për emërimin e Kryeprokurorit të Shtetit dhe kryeprokurorëve të prokurorive themelore të Republikës së Kosovës”, thuhet në komunikatë.

GLPS, më 21 gusht ka reaguar ndaj miratimit të kësaj rregulloreje meqenëse e njëjta ka vlerësuar që “mënyra e përzgjedhjes së kryeprokurorit të shtetit dhe kryeprokurorëve – siç është përcaktuar me këtë Rregullore të sapo-miratuar – lë hapësirë të gjerë abuzimi me kandidaturat, dhe nuk respekton parimin e barazisë para ligjit, sigurisë juridike, meritës së përzgjedhjes dhe kompetencës ekskluzive të KPK-së për të konsideruar dhe refuzuar çdo kandidat që konkurron për një pozitë të tillë në mënyrë shteruese; klauzola e konfliktit të interesit dështon që të përfshijë gamën e gjerë të situatave të papërshtatshme që i parashikon Ligji për Parandalimin e Konfliktit të Interesit”.

Reklama e sponzorizuar

“Kjo ngase, kjo Rregullore si e tillë ka lejuar dhe lejon emërimin e kryeprokurorëve përkatës duke abuzuar me kandidaturat, parimin e barazisë para ligjit etj., dhe për më tepër, kufizon gamën e gjerë të situatave të papërshtatshme që i parashikon Ligji për Parandalimin e Konfliktit të Interesit, fakte që konsiderohet që kanë ndikuar direkt në emërimin e kryeprokurorëve përkatës në PSRK dhe PTHP”, thuhet në komunikatë.

GLPS konsideron që mënyra e përzgjedhjes e përcaktuar me rregulloren e lartpërmendur ka qenë jo kushtetuese ngaqë e njëjta nuk ka garantuar parimin e barazisë para ligjit, sigurinë juridike dhe meritën e përzgjedhjes që duhet shoqëruar një proces të tillë.

“Njëkohësisht, fakti që të dy të emëruarit kanë marrë tërë votat e KPK-së, pa asnjë abstenim dhe asnjë votë kundër, është tregues i një marrëveshje më të gjerë për zgjedhjen e tyre, e jo një proces meritor. Prandaj, GLPS shpreh indinjatën e saj lidhur edhe me këtë proces të politizuar dhe jo meritor”, thuhet në komunikatë.