Vëllai i nënkryetarit të Komunës së Podujevës emërohet u.d. i drejtorit të shkollës

Vëllai i nënkryetarit të Komunës së Podujevës është emëruar ushtrues detyre i drejtorit të shkollës fillore “Shaban Shala” në qytet. Zyrtarët komunalë e kanë emëruar Sabri Rudarin në këtë pozitë, ani pse për këtë nuk kanë shpallur fare konkurs.

Kjo shkollë kishte mbetur pa drejtor nga 1 gushti i këtij viti, kur ishte pensionuar drejtori i deriatëhershëm i kësaj shkolle, Skënder Gashi. Për këta muaj shkolla ishte udhëhequr nga zëvendësdrejtoresha e kësaj shkolle. Zyrtarët komunalë nga atëherë nuk kanë zhvilluar asnjë procedurë për zgjedhjen e drejtorit të ri. Dhe për këtë ata “arsyen” e kanë gjetur te pezullimi i Ligjit për zyrtarët publikë nga Gjykata Kushtetuese, që kishte ndodhur gati 3 muaj pas pensionimit të këtij ligji (më 19 nëntor).

“Nga koha e pensionimit të drejtorit Skender Gashi, SH.F.M.U. ‘Shaban Shala’ është udhëhequr nga zëvendësdrejtorja e shkollës, deri në emërimin e u.d. të drejtorit të shkollës.Konkursi për drejtor shkolle është i gatshëm për shpallje, por pezullimi i Ligjit për zyrtarët publikë nga Gjykata Kushtetuese e ka pamundësuar zhvillimin e procedurave të konkursit”, ka thënë zëdhënësi i Komunës së Podujevës, Nazmi Elezi.

Reklama e sponzorizuar

Ai nuk ka treguar pse konkursi nuk është hapur para se ish-drejtori të dilte në pension, siç parashihet edhe me Ligj dhe po ashtu as pas pensionimit të tij derisa nuk ishte pezulluar ky ligj nga Kushtetuesja.