“Women4Women” sjell inkubatorin e parë të biznesit të grave në Kosovë

Të drejtat e barabarta gjinore në Kosovë ende mbeten një ndër sfidat kryesore të shoqërisë.

Mirëpo, pavarësisht kësaj, e në luftë ndaj shkeljes të të drejtave të grave, organizata më e madhe e grave në Kosovë, “Kosova Women4Women”, tani ka sjellë një risi, shkruan gazeta inFokus.

Kjo organizatë e cila numëron mbi 35 mijë gra anëtare, e që fokus të veçantë e ka zhvillimin ekonomik e social të gruas në shoqëri, të hënën e 16 Dhjetorit, ka përuruar inkubatorin e parë të biznesit të grave në Kosovë. Kjo u bë në Prishtinë, shkruan gazeta inFokus.

Reklama e sponzorizuar

“KW4W përuroi Inkubatorin e parë të biznesit të grave me lokacion në Prishtinë, një aset dhe vlerë e shtuar e Organizatës W4W për të vazhduar përkrahjen dhe stimulimin e grave dhe vajzave të reja që të zhvillojnë aftësitë e tyre të biznesit dhe fuqizimin ekonomik. Ky inkubator do të shërbejë që përmes asistencës teknike, këshillave profesionale dhe ndihmës financiare të ndihmojë gratë dhe vajzat e reja në procesin e themelimit të bizneseve të reja dhe fuqizimin e bizneseve start-up”, thuhet në njoftimin e organizatës KW4W.

“Në event na nderuan me pjesëmarrjen e tyre Ministri Z. Muzafer Shala, Ministri nga Ministria e Inovacionit dhe Ndërmarresisë #MIN, Ambasadori Norvegjez në Kosovë, Z. Jens Erik Grøndahl, Zëvendës Ambasadori Holandez Z. Peter Van der Bloemen, Zv. shefja e misionit nga Ambasada e Zvicrrës Znj. Pauline Menthonnex Gacaferri, përfaqësues të insitucioneve, donatorë dhe miq/partnerë të organizatës”.

Ky projekt u financua nga Ministria e Inovacionit e Ndërmarrësisë, ndërsa u implementua nga Kosova-Women 4 Women në partneritet me Institutin për Menaxhment dhe Zhvillim. /Gazeta inFokus/