Harandinaj për festat e fundvitit ndan 400 mijë euro për veteranët

Të martën e 17 Dhjetorit do të mbahet mbledhja e Qeverisë së Kosovës.

Kjo do të mbahet në ora 13:00.

Gazeta inFokus, ka siguruar edhe një draft-vendim të Qeverisë e i cili pritet që të miratohet sot, ku përmes të cilit do të ndahen 390 mijë euro.

Reklama e sponzorizuar

“Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së: 81 mijë euro, Shoqatës së Invalidëve të Luftës së UÇK-së: 168 mijë euro dhe Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve të UÇK-së: 141 mijë euro”, thuhet në draft vendimin të cilin e ka siguruar Gazeta inFokus.

Këto para do të ndahen nga rezerva shtetërore.

Megjithatë, ky është realizim i pjesshëm i kërkesave të këtyre kategorive të cilat kishin kërkuar edhe më shumë para.

Gazeta inFokus ka siguruar edhe kërkesën e Shoqatës së Invalidëve të Luftës, ku thuhet “Të nderuar ju lutemi që ti realizoni kërkesat tona financiare në vlerë 291 mijë e 500 euro”, mirëpo pa u përmendur arsyeja se për çfarë do të përdoren.

Ndërsa në kërkesën e Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve të UÇK-së, të cilën e ka Gazeta inFokus, shihet se janë kërkuar 188 mijë euro.

Nga këto mjete ishte planifikuar shkuarja nëpër banja, aktivitete, shërime e pushime.

“Për rehabilitim në Banja – 50 mijë euro, Për funksionim të SHFD të UÇK-së me aktivitetet e saj – 40 mijë euro, Për shërim, pushime dhe nevoja tjera për prindërit e Dëshmorëve të cilët nuk gëzojnë pension – 98 mijë euro, Gjithsej 188 mijë euro”, thuhet në kërkesë.

Ndërsa, në kërkesën tjetër të OVL-së, kërkohen para edhe për pllaka përkujtimore, veturë e aktivitete, shkruan gazeta inFokus.

“Ndihmë financiare në vlerë 13 mijë euro për vendosjen e pllakave përkujtimore në mbi 60 vende, ndihmë financiare në vlerë rreth 9 mijë euro për blerjen e një veture për nevojat e organizatës, ndihmë financaiare në vlerë 4 mijë e 800 euro për pjesëmarrje në aktivitetet përkujtimore, shpenzime terreni, kurora etj”, thuhet në dy kërkesa të Organizatës së Veteranëve të Luftës.