ASK: Paga mesatare bruto sillet nga 272 dhe 378 euro

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), ka publikuar rezultatet e Anketës Strukturore të Ndërmarrjeve për vitin referues 2018. ASK ka treguar po ashtu se sa i përket treguesit të pagës mesatare mujore bruto, ajo sillet rreth 378 euro në aktivitetet e përfshira në anketë.

Sipas ASK-së, ky publikim, me të dhënat që ofron, synon t’i paraqesë disa nga treguesit ekonomikë sipas strukturës së veprimtarive ekonomike.

“Sipas rezultateve të dala nga ky publikim, rezulton se sipas sektorëve ekonomikë numri më i madh i ndërmarrjeve i takon: tregtisë me 16 143 ndërmarrje, ose shprehur në përqindje 45.4%; shërbimeve biznesore dhe shërbimeve të tjera me 5 250 ndërmarrje, ose 14.8%; industrisë përpunuese (prodhimit) 4 930 ndërmarrje, ose 13.9%; akomodimit dhe aktiviteteve të shërbimeve me ushqim 3 683 ndërmarrje, ose 10.4%; ndërtimtarisë 2 849 ndërmarrje, ose 8.0%; transportit dhe magazinimit 1 351 ndërmarrje, ose 3.8%; informacionit dhe komunikimit 982 ndërmarrje, ose 2.8%; xehetarisë dhe gurëthyesit me 161 ndërmarrje, ose 0.5%; furnizimit me ujë, kanalizim, menaxhim mbeturinash dhe aktivitete revitalizimi të tokës me nga 126 ndërmarrje, ose 0.4%; si dhe, furnizimit me energji elektrike, gaz avull dhe ajër të kondicionuar me 65 ndërmarrje, ose 0.2%”, thuhet në raport.

Reklama e sponzorizuar

Sipas ASK-së,  sa i përket punësimit për sektorët ekonomikë, numri total i të punësuarve arrin shifrën 177 852, prej të cilëve sektori i tregtisë përbën rreth 60 349 të punësuar, ose shprehur në përqindje 33.9%; industria përpunuese (prodhimi) 27 125 të punësuar, ose 15.3%; shërbimet biznesore 22 004 të punësuar, ose 12.4%; ndërtimtaria me 20 533 të punësuar, ose 11.5%; akomodimi dhe aktivitetet e shërbimeve me ushqim me 13 955 të punësuar, ose 7.8%; informacioni dhe komunikimi 10 603 të punësuar, ose 6.0%; si dhe, sektorët e tjerë kanë më pak se 5% të punësuar.

“Karakteristikë tjetër, që vlen të përmendet, është edhe qarkullimi i realizuar nga ndërmarrjet, ku dominon tregtia me një pjesëmarrje prej 54.6%, ndërtimtaria me 11.6%, industria përpunuese (prodhimi) me 11.5%, furnizim me energji elektrike, gaz avull dhe ajër të kondicionuar me 6.4%, aktivitetet e shërbimeve të tjera me 5.1%, kurse sektorët e tjerë të veprimtarive ekonomike rezultojnë me një përqindje më të vogël të qarkullimit.

Sa i përket treguesit të pagës mesatare mujore bruto, ajo sillet rreth 378 Euro në aktivitetet e përfshira në anketë.

“Paga mesatare bruto sipas këtij hulumtimi sillet nga 272 e 378 Euro për vitet 2008-2018 në aktivitetet e përfshira në anketë është një tregues i përafërt me realitetin tonë. Siç edhe mund të vërehet paga mesatare më e lartë është në sektorin furnizim me energji elektrike, gaz, avull dhe ajër të kondicionuar, derisa derisa ajo më e ulëta është në sektorin e akomodimit dhe aktivitete të shërbimeve me ushqim”.