Telekomi nuk e anulon konkursin që u hap “pa dijeninë e kryeshefit”

Posta dhe Telekomi i Kosovës

Konkursi i hapur ditë më parë për vende të reja të punës brenda Telekomit të Kosovës nuk është mbyllur ende.

Telekomi i Kosovës para pak ditëve, saktësisht më 9 nëntor kishte hapur një konkurs për punësimin e gjithsej 10 personave në këtë ndërmarrje, ani pse vet ndërmarrja ka ndalesë prej Bordit të saj për punësime të reja.

Ndërkohë, në ueb faqen e Telekomit të Kosovës ende ftohen aplikantët që të aplikojnë në pozitat e paraqitura si zyrtarë të shitjes ku kërkohen 5 veta dhe 5 punëtorë teknik.

Reklama e sponzorizuar

Ky konkurs ishte hapur të shtunën më 9 nëntor dhe siç duket i njëjti konkurs do të jetë i hapur deri më datën 23 nëntor, përcjell Buletini Ekonomik.

Por, përkundër kësaj Kryeshefi Ekzekutiv i Telekomit, Istrefi gjatë kësaj jave doli me një reagim se konkursi ishte hapur pa dijeninë e tij, dhe se gjithçka rreth tij ishte e jashtëligjshme.

“Konkursi është hapur pa lejen e pa dijeninë time. Procedurat e hapjes së këtij konkursi kanë nisur të shtunën, një ditë pasi kam dalë në pushim. Gjithçka rreth këtij konkursi, është e jashtëligjshme sepse është hapur pa lejen time”, pat thënë ai.

Vendimi për hapjen e këtij konkursi bie në kundërshtim me vendimin paraprak të menaxhmentit të Telekomit, i cili kishte marrë vendim për ndalimin e punësimeve të reja në këtë ndërmarrje, gjë për të cilën edhe Kryeshefi Ekzekutiv i Telekomit, Bedri Istrefi ishte zotuar se nuk do të bënte punësime kur vet Telekomi është në krizë financiare.

Buletini Ekonomik ka kontaktuar me kryeshefin Bedri Istrefi, mirëpo ai nuk e ka komentuar këtë çështje.

Ndryshe, vendimi për ndalimin e punësimeve kishte ardhur pas punësimeve masive që kishin ndodhur në këtë ndërmarrje nga shkurti i vitit të kaluar deri në shkurtin e këtij viti. Shumë prej të punësuarave të rinj ishin familjarë të partive politike që ishin në pushtet, sidomos nga AAK-ja dhe NISMA. /Buletini Ekonomik/