Projekti për autostradën e Dukagjinit në mars, u shpenzuan mbi 1 milion euro

Qeveria e re në ardhje e ka bërë të qartë se nuk do lejojë ndërtimin e autostradës së Dukagjinit. Megjithëkëtë, me të ardhur në pushtet qeveria e re, do ta gjejë ose pritet t’i shkojë në tavolinë hartimi i projektit për këtë Autostradë.

Qeveria e re, e cila pritet të formohet nga dy partitë më të votuara në zgjedhjet e 6 tetorit, Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës. Këto parti janë deklaruar se nuk do të lejojnë ndërtimin e “Autostradës së Dukagjinit”.

Por, për realizimin e këtij projekti janë shpenzuar mbi 1 milion euro, shkruan lajmi.net, ndërkohë qeveria Hardinaj nuk është duke u ndalur se punuari në këtë projekte dhe se besuari se ai do të jetësohet.

Reklama e sponzorizuar

Më datë 29 qershor 2018, ministria e Infrastrukturës dhe Transportit që udhëhiqet nga Pal Lekaj i AAK-së, ka lidhur kontratë me kompanitë “Infra-Plus” & “Infratek” për projektin “Hartimi i projektit zbatues për ndërtimin e Autostradës: Istog-Pejë-Deçan-Gjakovë-Prizren L? 91 KM”. Vlera e kontratës kap vlerën e 1.039.532,80 euro. Por, punët filluan në tetor, pasi ministria u vonua që të caktojë një menaxher të kontratës.

Lajmi.net ka mësuar se kanë dal shpenzime shtesë, pasi ministria e ka rritur autostradën edhe për 9 kilometra, rrjedhimisht projekti ka arritur afër 100 kilometra.

Para dy muajve, zyra e prokurimit e MIT, përsëri ka bërë ‘njoftim për dhënie të kontratës’ me procedurë të negociuar për kompaninë “Infra Plus”, lidhur me kontratën “Hartimi i projektit për Autostradën Istog-Pejë-Deçan-Gjakovë-Prizren. Kjo ka ndodhur pasi kanë dal punë shtesë, të cilat janë në kuotën prej 10 për qind. Vlera e përgjithshme e kontratës është 102.834, 64 euro.

Në ministrinë e Infrastrukturës nuk kanë dashur të tregojnë sa para janë paguar deri më tani për këtë projekt.

Projekti gati në mars

Musa Islamaj, drejtor gjeneral në kompaninë “Infra-Plus” ka dhënë disa detaje për lajmi.net lidhur më këtë projekte, derisa ka thëne se puna e tyre po paguhet me situacione nga ana e ministrisë dhe se akoma nuk janë bërë të gjitha pagesat.

“Ministria e ka rritur edhe për rreth 9 km autostradën, pra ka arritur në afër 100 km gjithsejtë. Kilometrat e shtuara janë në zonën e Pejës dhe Prizrenit. Komuna e Pejës ka pasur kërkesë që të zgjatet një kyçje me Malin e Zi, dhe në Prizren ka papasur zgjatje në Landovic. Normalisht këtë e ka miratuar ministria”, ka thënë Islamaj.

Ai ka thënë se hartimi i projektit do të jetë gati në fillim të vitit 2020.

“Hartimi i projektit do të realizohet sipas kontratës. Kjo pasi në kontratë shkruan për 18 muaj, pas caktimit të menaxherit nga ana e ministrisë. Ministria tre muaj me vonës e ka caktuar menaxherin, konkretisht më 25 tetor. Pra, raportin final do ta kemi gati në mars të vitit 2020. Bile edhe 60 ditë shtohen për shkak se është rrit gjatësia e autostradës. Ne jemi në fazën finale të punëve”, tha drejtori i “Infra-Plus”.

Ai ka dhënë edhe disa detaje se si duket projekti gjigant.

“Do të ketë shumë ura, janë qindra mbikalime, nënkalime ura më e gjatë do të jetë 1500 metra që do t’i bie në mes të Strellcit e Lubeniqit. Tjetra urë rreth 1 km do të jetë në afërsi të Kishës në Deçan. Ne e kemi përfunduar trasenë, është aprovuar, gjeodezia është kryer, gjeomekanika. Pjesa dërmuese e autostradës do të kalojë në tokën malore, Deçan-Pejë dhe Deçan -Gjakovë kalon në anën e epërme që është pjesë malore dhe më shumë publike se sa private. Jemi munduar që t’i ikim maksimalisht tokave private dhe shtëpive të banimit”, shtoi tutje Islamaj.

Sipas matjeve të kompanisë që po e bënë hartimin e projektit, kompletë ndërtimi i Autostradës, pa shpronësimet, mund të kushtojë rreth 4.5 ose 5 milionë një kilometër, që i bije rreth 500 milionë euro, ndërkohë shpronësimi pritet të fillojë në mars ose prillin e vitit 2020.

Pushteti në ardhje kundër Autostradës së Dukagjinit

Megjithëkëtë, derisa, Pal Lekaj i AAK-së, po deklaron në vazhdimësi se ky projekt do të realizohet, e që kostoja fillestare do të jetë 56 milionë euro,  Avdullah Hoti, nga LDK-ja, ka thënë se projekti për ndërtimin e autostradës së Dukagjinit është i panevojshëm dhe nuk do të realizohet nga qeveria e ardhshme.

“Është komplet i panevojshëm. Është një projekt që nuk do te realizohet nga qeveria e ardhshme. Ne e kemi të qartë çfarë duhet të bëjmë sa i përket atij projekti. Nuk e kemi komoditetin e as s’është e nevojshme që të ndërtojmë autostradë në ato toka bujqësore. Çka do të bëjmë ne është se nga Istogu, Pejë, Deçan, Gjakovë dhe deri në Prizren do të zgjerohet komplet rruga ekzistuese, do të bëhen rrugë me katër shirita, jo rrugë e izoluar, në magjistralen ekzistuese në mënyrë që mos të shpenzojmë qindra miliona në shpronësime të tokave dhe ai korridor nga Peja deri në Prizren, por në veçanti nga Gjakova deri në Prizren të jetë një korridor që zhvillohen komplet bizneset, një tip zone ekonomike”, ka thënë Avdullah Hoti .

Këtë projekt e kanë kundërshtuar edhe nga Lëvizja Vetëvendosje. I fundit, Liburn Aliu, por edhe vetë kreu i VV-së, Albin Kurti, duke konsideruar se është e mjaftueshme që të zgjerohen rrugët ekzistuese, siç është ajo në nisje, Pejë -Prishtinë, Gjakovë –Klinë, etj.

Para dy ditësh, edhe nënkryetarja e LDK, Vjosa Osmani, në një takim me përfaqësues të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, ka thënë se në programin e përbashkët qeverisës me VV-në, përqendrimi nuk do të jetë në autostrada, por në rritjen e punësimit të të rinjve dhe grave.

Me qëllim të plotësimit të pozitave për realizimin e projektit“Autostrada  e Dukagjinit”, Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit në fillim të muajit prill, ka shpallur  konkurs për 12 pozita të punës:1. Menaxheri risistemimit, ekspert/specialist i risistemimit, apoekspert/specialist i pronës, 2. Ekspert Social, 3. Ekspert Ambienti, 4. Sekretar/e i/e NJZP-së, 5. Zyrtar/e Administrative, 6. Ekonomist/e, 7. Ekspert Specialist i Telekomunikacionit, 8. Specialist i Elektros, 9. Zyrtar për Mbrojtjen e Trashëgimisë, 10. Udhëheqës i sektorit teknik (Inxhinier kryesor), 11. Inxhinier Rezident, 12. Gjeodet.

Por, nuk dihet nëse ky konkurs është realizuar, pasi ministria nuk ka publikuar më asnjë njoftim.

Autostrada do të jetë e gjatë rreth 100 kilometra, dhe do të lidhë Istogun, Pejën, Junikun, Deçanin, Klinën, Rahovecin e Prizrenin.

Megjithë nismën për ndërtimin e kësaj autostrade, nuk ka pasur një studim të fizibilitetit të analizës kosto-përfitimit që do të sillte ky projekt.

Mandej, kritiket kanë konsideruar që tani nuk është koha më e përshtatshme për një projekt të tillë, duke e parë gjendjen e përgjithshme të vendit, sidomos atë socio-ekonomike. /Lajmi.net/