Mbi 315 milionë euro mallra të importuara veç për një muaj në Kosovë

Të dhënat nga Tregtia e Jashtme të Mallrave në Kosovë tregojnë për një deficit tregtar më të lartë për 4.5% në muajin tetor të këtij viti, në raport me periudhën e njëjtë të vitit 2018, gjegjësisht në vlerë prej 282,7 milionë euro krahasuar me deficitin 270,5 milionë euro në vitin 2018.

Këtë muaj eksporti mbuloi importin prej 10.3 për qind.

Eksporti i mallrave në muajin tetor të 2019-ës në vendin tonë kishte vlerën e 32,3 milionë eurove, ndërsa importi vlerën e 315,1 milionë eurove, që është një rënie prej 15.6 për qind për eksport si dhe një rritje prej 2.0 për qind për import duke krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2018.

Reklama e sponzorizuar

Sipas të dhënave të grupeve kryesore të eksportit: 31.2% të eksporteve e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre, 15.9% plastika, goma dhe artikujt prej tyre, 11.2% ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani, 7.5% nproduktet bimore, 6.1% makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike, 5.5% artikuj të ndryshëm të prodhuar, 4.6% tekstil dhe artikuj tekstili, etj.

Ndërsa sipas të dhënave të grupeve kryesore për import e përbëjnë: 15.0% produktet minerale, 13.0% makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike, 11.0% metalet bazë dhe artikujt prej tyre, 10.4% ushqimet e përgatitura,pijet dhe duhani, 9.0% mjetet e transportit, 7.1% produkte të industrisë kimike, 6.3% plastikë,gomë dhe artikuj prej tyre, etj.

Ndërkaq, sa i përket tregtisë së jashtme të mallrave me vendet e BE-së, eksportet e Kosovës arritën deri në 13,2 milionë euro, ose rreth 41.1% e eksporteve të përgjithshme, me një rritje prej 29.0%. E partnerët kryesorë për eksportin e mallrave në BE janë: Italia me 12.8%, Gjermania me 9.6%, Holanda me 5.4% dhe Britani e Madhe me 1.7%, etj.

Ndërkohë importet e Kosovës nga vendet e BE-së ishin rreth 160,3 milionë euro, ose 50.9% e importeve të përgjithshme, me një rritje prej 28.9%.

Importet me pjesëmarrje me të lartë ishin nga: Gjermania me 13.0%, Italia me 10.6%, Greqia me 3.7, Bullgaria me 3.6%, Sllovenia me 3.1%, etj.

Në muajin tetor të këtij viti, eksportet e Kosovës me vendet CEFTA-së arritën në 14,3 milionë euro, ose 44.4% të eksporteve të përgjithshme. Partnerë kryesorë për eksport nga vendet e CEFTA-së ishin: Shqipëria me 18.9%, Maqedonia me 12.0%, Serbia me 7.5% dhe Mali i zi me 4.2%.

Ndërsa, importet nga vendet e CEFTA-së në muajin tetor po të këtij viti, arritën në 45,0 milionë euro ose 14.3% të importeve të përgjithshme.

Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import ishin: Maqedonia me 6.9%, Shqipëria me 6.3%, dhe Serbia me vetëm 0.1 %.

Tregtia e Kosovës me vendet tjera arriti në 4,6 milionë euro, ose 14.5%. Si partnerë më të rëndësishëm nga këto vende për eksport vlen të përmenden: Zvicra me 7.9% të eksportit si dhe Turqia me 3.1%.

Ndërsa importet e Kosovës me vendet tjera arritën në 109,7 milionë euro, ose 34.8%. Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import në këtë grup ishin: Turqia me 12.5% dhe Kina me 10.0%. /Buletini Ekonomik/