Paratë e shtetit që i shpenzoi kabineti i Bedri Hamzës – vetëm në prill ministri i mori mbi 4 mijë euro

Fiks 4 mijë e 101 euro janë të hyrat mujore nga buxheti i shtetit për muajin prill të vitit të kaluar për ministrin në largim të Financave, Bedri Hamza. Këto të ardhura financiare kanë ardhur vetëm nga paga dhe mëditja. Të ardhurat e tij vetëm nga mëditjet e këtij muaji janë më shumë se 2 mijë e 800 euro, raporton Gazeta Sinjali.

Në total gjatë mandatit të tij në Qeverinë Haradinaj, ministri Hamza buxhetit të shtetit me pagën e tij i ka kushtuar afër 29 mijë euro. Në ndërkohë duke përfshirë edhe mëditjet e tij si ministër i Financave, ai buxhetit i ka kushtuar rreth 36 mijë euro.

Gazeta Sinjali ka kërkuar qasje në dokumentet zyrtare të kabinetit të ministrit Hamza duke përfshirë pagat, mëditjet, udhëtimet, drekat zyrtare, shpenzimet telefonike si dhe shpenzimet e udhëtimeve. Nga të gjitha këto shpenzime rezulton se kabineti Hamza i ka kushtuar buxhetit të shtetit më shumë se 425 mijë euro.

Reklama e sponzorizuar

Buxhetit të shtetit padyshim se më së shumti i kanë kushtuar pagat e ministrit dhe stafit të tij. Duke përfshirë ministrin, katër zëvendësministrat, shtatë këshilltarët politikë, si dhe shoferët e asistentët e tyre, vetëm për pagat e këtij kabineti janë shpenzuar më shumë se 316 mijë euro.

Kategoria tjetër ku kabineti i ministrit të Financave, nuk e kursyen buxhetin e shtetit ishte kategoria e reprezentacionit që përfshinë dreka, darka, pije dhe dhurata në takime zyrtare. Për këtë kategori Hamza dhe kabineti i tij kanë shpenzuar më shumë se 23 mijë euro.

Më shumë se 53 mijë euro kabineti i Hamzës i shpenzoi për udhëtime zyrtare duke përfshirë mëditjet, biletat dhe akomodimet në hotel.

Për mëditje ministri Hamza dhe kabineti i tij në Qeverinë Haradinaj shpenzuan më shumë se 16 mijë euro. Për bileta të udhëtimeve zyrtare u shpenzuan 18 mijë euro, ndërsa për akomodimin e kabinetit të ministrit Hamza u shpenzuan më shumë se 18 mijë e 400 euro.

Kabinetit të ministrit në largim Hamza, aq sa thirrjet telefonike i kushtuan gati edhe shpenzimet për karburant.

Afër 14 mijë euro u shpenzuan për thirrje telefonike, ndërsa mbi 18 mijë euro janë shpenzuar gjatë mandatit dy vjeçar për karburant.

Sektori i vetëm ku kjo ministri nuk ka shpenzuar asgjë sipas të dhënave në qasje të dokumenteve zyrtare janë pajisjet e teknologjisë. Aty thuhet se për pajisje teknologjike të kabinetit të ministrit Hamza nuk është shpenzuar asgjë.