Antikorrupsioni gjen shkelje ligjore në tenderin 1-milionësh të MASHT-it

Shkelje ligjore në një tender në vlerë 1 milion eurosh të Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT) ka evidentuar Agjencia Kundër Korrupsionit (AKK) përmes një opinioni të nxjerrë ditë më parë.

Sipas AKK-së, kërkesat që MASHT-i i ka vendosur në tenderin me titull “Furnizim me inventar në shkollat e arsimit parauniversitar” janë diskriminuese për kompanitë konkurruese pasi nuk iu mundësohet të gjithë operatorëve të ofertojnë për këtë kontratë, shkruan sot “Koha Ditore”. Kriteret e vendosura në këtë tender të shpallur më 24 shtator, sipas Agjencisë Kundër Korrupsionit, janë në kundërshtim me Ligjin për Prokurimin Publik.

Disa nga vërejtjet që i ka konstatuar AKK-ja janë kushtëzimi i MASHT-it për kompanitë që konkurrojnë si: të ketë së paku një kontratë mbi 1 milion euro, të dëshmojë se mesatarja e të punësuarve në këtë projekt është 20 persona, në mesin e tyre një inxhinier i diplomuar i arkitekturës dhe një inxhinier i industrisë së drurit, si dhe dokumente të tjera shtesë.

Reklama e sponzorizuar

Agjencia Kundër Korrupsionit i ka kërkuar Ministrisë së Arsimit që t’i evitojë shkeljet e këtij tenderi.