Në vitin e kaluar u trajtuan mbi 429 mijë tonë mbeturina në Kosovë

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK)ka publikuar rezultatet e Anketës së Mbeturinave të Trajtuara (AMT) për vitin 2018 me ç’rast ka bërë të ditur se janë trajtuar mbi 429 mijë tonë mbeturina.

Qëllimi kryesor për realizimin e AMT 2018 ka qenë grumbullimi i të dhënave statistikore nga bizneset, që merren me trajtimin e mbeturinave (deponitë rajonale, objektet e trajtimit të mbetjeve spitalore, sterilizimi dhe objektet e trajtimit të mbeturinave industriale), që të sigurojë të dhëna statistikore të qëndrueshme, si dhe krijimin e serisë kohore.

Rezultatet e prezantuara në këtë publikim ofrojnë një burim të rëndësishëm statistikor për gjendjen e tanishme të këtij sektori.

Reklama e sponzorizuar

“Rezultatet nga AMT-së tregojnë se në vitin 2018: sasia e mbeturinave të ricikluara ishte 3 193 tonë/vit; sasia e mbeturinave të sterilizuara (mbeturina spitalore) ishte 460 tonë/vit. Kurse, sasia e përgjithshme e mbeturinave të trajtuara për vitin 2018 ishte 429 534 tonë/vit”, thuhet në komunikatë.

Sasia e mbeturinave të trajtuara, sipas llojit të mbeturinave dhe llojit të trajtimit, e shprehur në përqindje, për vitin 2018, ishte si vijon: metalet (51%); mbeturinat nga plastika (28%); mbeturinat spitalore (12%); mbeturinat e djegura (6%); dhe mbeturinat e letrës dhe kartonit (3%).

Sasia e mbeturinave të deponuara në deponitë sanitare dhe josanitare, në vitin 2018, ishte 425 667 tonë/vit. Krahasuar me te dhënat e vitit 2017, në vitin 2018 ishte një rritje e lehtë prej 2%.

Për më shumë informata lidhur me Anketën e Mbeturinave të Trajtuara (AMT) 2018, vizitoni: http://ask.rks-gov.net/sq/agjencia-e-statistikave-te-kosoves/bujqesi/mbeturinat