Veseli premton 300 çerdhe të reja dhe një mijë euro për secilën lindje të tretë

88

Kandidati për kryeministër nga Partia Demokratike e Kosovës, Kadri Veseli, gjatë ditës ka vizituar një çerdhe në kryeqytet, nga ku është zotuar se gjatë qeverisjes së tij do të ndërtohen 300 çerdhe të reja në tërë vendin.

Nga aty Veseli tha se fokus i tij është futja obligative e fëmijëve nga mosha 0 deri në moshën 6 vjeçare në edukimin parashkollor.

Po ashtu, kreu i PDK-së foli edhe për rritjen e familjeve, ku premtojë se do stimulojnë lindjen e fëmijëve, ku tha se për fëmijën e tretë familjet do të marrin një mijë euro.

“Fokusi im i madh është që të bëhet futja pothuajse obligative nga 0 deri në 6 vjeç. Kam paraparë ndërtimin e 300 çerdheve, të cilat do të jenë pikërisht në këtë qëllim. Pastaj si orientim konservator në të cilën është partia ime dhe unë, familja e luan rolin e jashtëzakonshëm. Fuqizimi i familjes, ne do të stimulojmë me politikat tona lindjen e fëmijës të tretë me 1 mijë euro, lindjen fëmijës të katërt me 1 mijë e 500 euro. Për aq sa familjet që kanë tre fëmijë kanë me pas subvencionimin e kredisë në masën 30 për qind për tre fëmijë, katër fëmijë e tutje e kanë subvencionimin e kredisë së tyre deri në 50 për qind. Ndërtimin dhe blerjen e banesave, po ashtu fëmija i tretë, përkatësisht nga fëmija i katërt 30 përkatësisht 50 për qind blerjen e banesave ose ndërtimin e shtëpive. Orientimi ynë është rritja e familjes dhe përgatitja e fëmijëve tanë që të jenë të barabartë me fëmijët evropianë, për arsye se edhe konkurrenca, ambienti ku jetojmë është evropian dhe konkurrenca duhet të jetë evropiane”, tha ai.

Kurse, drejtoresha e këtij kopshti, Gëzime Rexhepi Çollaku, tha se sfida më e madhe me të cilën përballen gjatë punës së tyre është pushimi i lehonisë, raporton kp.

Ajo nga Veseli kërkoi që të gjendet një zgjidhje në mënyrë që t’iu lehtësohet puna bizneseve, e edhe gratë të kenë mundësi të rrisin familjet e tyre.

“Unë gjithsej kam të punësuara 74 veta dhe 74 veta kalojnë nëpër procesin e lindjes dhe automatikisht unë veç kam me dëgjuar kur është një shtatzënë, kur ka më lind dhe kur duhet të kthehet. Është një sfidë shumë shumë e madhe, kam folur shumë herë aty ku është dashur, mirëpo po më duket sikur kjo temë për mua vetëm është e shpenzuar dhe më nuk po di a ia vlen më e diskutua. Më duket që me personin e duhur, në momentin e duhur dhe me njerëzit e duhur jam duke e diskutuar që më të vërtetë duhet të bëhet diçka që t’iu ndihmohet edhe grave kur e kanë moshën e lindjes që e rrisin familjen, mirëpo edhe bizneset që i punësojnë. Përndryshe mosha e tyre mundet me u diskriminua gjatë procesit të intervistimit apo të pranimit në punë”, tha ajo.

Pretendenti për kryeministër të vendit, premtoi se do të jetë në mbështetje të fuqizimit të çerdheve private.

“Kemi me iu fuqizua juve, në të njëjtën kohë i krijojmë një hapësirë shumë të madhe grave, se futja e sistemit parashkollor dhe kopshteve edhe më herët, jo vetëm parashkollor po të kopshteve që janë nga mosha 0-6 vjeçare që po mendojmë t’i bëjmë rreth 300 në Kosovë. Kam me iu krijua hapësirë të madhe grave që të kenë mundësi pastaj të kenë edhe aktivitete qoftë në punësimin, qoftë në ndërmarrësi, që të mos jenë të varura drejtpërdrejtë vetëm prej situatës familjare, se kur i ke fëmijët me i rrit e kur nuk ke ku i dërgon nuk është e lehtë”, tha ai.

Gjatë këtij takimi Veseli ishte i shoqëruar nga kandidatja për deputete nga PDK, Dhurata Hoxhaj.