Nga sot në Kosovë, kush ka armë pa leje dënohet me 7.500 euro

Sot skadon afati për legalizimin e armëve pa leje në Kosovë. Të dhënat zyrtare tregojnë se një ditë para mbylljes së afatit numri i kërkesave për legalizim është tejet i vogël. Zyrtarë të Ministrisë së Punëve të Brendshme kanë treguar se deri më tani kanë aplikuar vetëm 1 mijë e 800 persona. Pas këtij afati gjobat për armët ilegale do të jenë të larta.

Kanë kaluar 9 muaj që nga lansimi i fushatës së Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB) për legalizimin e armëve të vogla dhe të lehta, të cilat i posedojnë pa leje qytetarët e Kosovës. Mirëpo, duket se zakonet për ta mbajtur armën në shtëpi dhe faktorë tjerë kanë ndikuar që vetëm 1 mijë e 800 persona të aplikojnë për legalizimin e armëve.

Koha e legalizimit të armëve përfundon sot dhe kësaj periudhe armët e paligjshme do të konfiskohen, kurse me ligjin e ri për posedim ilegal të armëve mund të dënoheni me gjobë deri në 7.500 euro, ose me burgim deri në 10 vjet.

Reklama e sponzorizuar

“Janë rreth 1 mijë e 800 aplikacione të cilat kanë ardhur në Ministrinë e Punëve të Brendshme për legalizim të armëve. Krahasuar me numrin e armëve pa leje është një numër i vogël i aplikimeve, por që nëse e bëjmë edhe një krahasim tjetër me vendet e rajonit ne qëndrojmë mirë. Për shembull Serbia gjatë fushatës së saj për legalizim të armëve ka marrë vetëm një numër të vogël për legalizim krahasuar me armët pa leje, e cila kalon numrin milionësh, njëjtë janë edhe Maqedonia apo Mali i Zi”, kanë thënë në Ministrinë e Punëve të Brendshme.

Në MPB kanë treguar se tani atyre u nevojitet edhe një periudhë kohore prej gjashtë muajsh që të bëjnë vlerësimin e kërkesave për legalizim.
“Tani kemi ne një procedurë pak më të gjatë për shkak të legalizimit dhe ndërlidhjes me institucionet e tjera”.
Gjatë kohës sa zgjat fushata për legalizimin e armëve pa leje, me vendim të ministrit në detyrë të MPB-së, Ekrem Mustafa, është pezulluar zbatimi i nenit 374, të Kodit Penal, i cili, në paragrafin një, parasheh gjobë deri në 7 mijë e 500 euro ose dënim me burgim deri në pesë vjet për armëmbajtje pa leje.
Procedura për legalizim të armës përbën kohën brenda një periudhe prej 30 ditësh, qytetarit i jepet pëlqimi për armëmbajtje në shtëpi. Ndërsa ai ose ajo obligohet që brenda një viti të kryejë trajnimin për përdorim të sigurt dhe mirëmbajtje të armës.

Pas ofrimit të dëshmive mbi gjendjen ligjore dhe të drejtën e veprimit ligjor, aplikuesi pajiset me leje për posedim të armës – me arsyetim të përdorimit për rekreacion, shenjëtari ose gjueti, varësisht nga lloji i armës.
Kostoja totale për legalizim, përfshirë kontrollet shëndetësore, vërtetimet, trajnimin dhe lejen, sipas Mustafës, arrin vlerën e rreth 300 eurove.
Bazuar në të dhënat e MPB-së, numri i armëve ilegale në posedim të qytetarëve llogaritet të jetë rreth 250 mijë sosh. /Monitor.al/