Kosova, vend i bërllokut e i deponive ilegale

Pavarësisht aksioneve të ndryshme që ndërmerren për pastrimin e vendit, Kosova edhe më tej ballafaqohet me numër të madh të deponive ilegale. Mosparandalimi i tyre nga ana e komunave ka bërë që numri i tyre të rritet edhe më tej, shkruan sot gazeta “Zëri”.

Rreth një mijë deponi ilegale vlerësohet të jenë identifikuar edhe gjatë këtij viti në Kosovë, ndonëse shumica prej tyre janë pastruar nga organizatat për mbrojtjen e ambientit. Edhe më tej nuk ka rezultate pozitive në largimin e deponive ilegale, të cilat edhe pse po pastrohen më pastaj nuk po mirëmbahen nga komunat.

Drejtori ekzekutiv i organizatës “Let’s Do It Kosova”, Luan Hasanaj, në një prononcim për “Zërin” ka thënë se vitin e kaluar në fushatën tremujore “Ta pastrojmë Kosovën” kanë larguar mbi 900 deponi, por që ato vazhdojnë të jenë problem edhe më tej në të gjitha komunat e Kosovës.

Reklama e sponzorizuar

“Vitin e kaluar ne kemi larguar mbi 900 deponi ilegale në fushatën tremujore ‘Ta pastrojmë Kosovën’. Kanë qenë diku 1 mijë e 400 deponi. Kur e kemi kryer ne aksionin nuk kanë qenë më shumë se 300 – 400 deponi në gjithë Kosovën, por pjesa më e madhe janë pastruar e nuk janë larguar. Një pjesë e madhe janë kthyer dhe unë mendoj që numri është diku 1000 prapë”, ka thënë ai.

Hasanaj ka fajësuar komunat të cilat nuk e kanë parandaluar kthimin e deponive ilegale pas pastrimeve që janë bërë.

“Komunat nuk po arrijnë t’i parandalojnë ato. Po pastrohen lokacionet, por pastaj ato nuk po trajtohen. Ato janë në hapësira publike dhe në momentin që pastrohen Komuna do të duhej të mbjellë diçka, ose ta rrethojë, ose të gjejë ndonjë mënyrë e cila do të kishte qenë preventive që askush të mos gjuante aty bërllok. Por kjo vazhdon të jetë problem”, ka thënë ai.

Ai ka përmendur edhe disa veprime të fundit, të cilat janë duke u marrë nga disa taksi në Kosovë, të cilët po e gjuajnë bërllokun në hapësira publike.

“Kohëve të fundit është krijuar një komunitet i taksistëve, të cilët ofrojnë shërbime për bartje mbeturinash. Nëse ne demolojmë diçka, ata vijnë me ndonjë kamion dhe me shumë pak pare e marrin bërllokun dhe atë e gjuajnë në hapësira publike. Ne e kemi lajmëruar shumë herë edhe në Polici dhe të inspektorët, por askush nuk ndërmerr diçka për t’i ndalur ata. Kurse dënimet janë shumë të vogla për ndotës”, ka thënë ai.

Hasanaj ka thënë më tej se edhe nëse prapë marrin aksione për pastrimin e vendit, ato do të jenë të kota nëse nuk ndërmerren masa edhe nga institucionet në vend.

Ministria e Mjedisit: Kemi marrë aksione për mbrojtjen e mjedisit

Për problemet me mbeturina vazhdimisht ka qenë e njoftuar edhe Ministria e Mjedisit dhe e Planifikimit Hapësinor.

Valdete Tahiri-Azemi, zyrtare për informim në këtë Ministri, ka thënë për “Zërin” se ata kanë marrë aksione për mbrojtjen e mjedisit, ku ka përmendur edhe kompletimin e legjislacionit për menaxhimin e mbeturinave.

“Sa u përket veprimeve për problemet me mbeturinat, Divizioni për Mbeturina dhe Kimikate ka kompletuar legjislacionin për menaxhim të mbeturinave duke hartuar ligjin bazë për mbeturina, si dhe ka hartuar gjithsej 29 udhëzime administrative dhe 4 vendime që rregullojnë fushën për menaxhimin e mbeturinave, përkatësisht mbrojtjen e mjedisit nga mbeturinat, si dhe strategjinë dhe planin për menaxhim të mbeturinave”, ka thënë ajo.

Sipas saj, aktivitet tjetër për mbrojtjen mjedisit është edhe dhënia e lejeve relevante sipas legjislacionit në fuqi si licenca për menaxhim të mbeturinave e autorizimet mjedisore, si dhe mbështetja e realizimi i projekteve të ndryshme për mbeturina.

Tahiri-Azemi ka shtuar se si Ministri kanë investuar edhe në ndërtimin e deponive të reja regjionale.

“Nuk mund të thuhet se ka pasur mungesë të deponive të mbeturinave, për shkak se MMPH-ja në bashkëpunim me Komisionin Evropian dhe me donatorë tjerë pas vitit 2002 ka investuar në këtë fushë, përkatësisht në ndërtimin e deponive të reja regjionale, duke mbuluar tërë territorin e vendit, si dhe në rehabilitimin e mbylljen e deponive të vjetra komunale”, ka shtuar ajo.

Ajri i pashëndetshëm në Kosovë në 50 për qind të kohës

Përveç problemeve me deponitë ilegale, qytetarët e vendit janë ballafaquar edhe me cilësinë e lartë të ajrit të ndotur në vend. Vit pas viti cilësia e ajrit ka qenë e pashëndetshme.

Sipas një hulumtimi, të publikuar nga Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP), të dhënat e siguruara nga Agjencia për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës (AMMK) tregojnë se ajri është i pashëndetshëm në 50% të kohës, shumë i pashëndetshëm në 20% të kohës dhe i rrezikshëm në 5% të kohës. Përveçse gjatë stinës së dimrit, cilësia e ajrit nuk ka qenë e shëndetshme disa herë edhe gjatë verës.

Arif Krasniqi, kryetar i organizatës “Eko Lëvizja e Gjelbër”, ka thënë për “Zërin” se faktorët e ndotjes janë pothuajse të njëjta me vite në Kosovë. Sipas tij, një rol të madh në ndotjen e ajrit luan edhe transporti rrugor, rrjedhimit automjetet e vjetra në vend.

“Energjetika duke qenë e koncentruar vetëm në një lokacion të ngushtë paraqet ndotje enorme, madje më shumë atakohet kryeqyteti i Kosovës dhe komunat përreth saj, por ndotja shtrihet edhe në pjesët tjera të Kosovës. Këtu mungojnë edhe pajisjet matëse të ndotjes, kështu që qytetari nuk ka njohuri të vazhdueshme për nivelin e ndotjes në këto hapësira. Edhe transporti rrugor ndikon në ndotje. Akoma importohen automjete me vjetërsi të madhe në Kosovë, të cilat gëlltitin ndotje, gazra dhe materiale të tjera ndotëse”, ka thënë ai.

Krasniqi ka përmendur edhe përdorimin e thëngjillit për ngrohje në Kosovë e po ashtu edhe gurthyesit dhe industritë e tjera si faktorë për ndotjen e ajrit. Ai është shprehur i shqetësuar edhe me ndotjen e ambientit në vend, derisa ka kërkuar që qytetarët të vetëdijesohen për moshedhjen e mbeturinave vend e pavende.