Prishtina në 50 për qind të kohës me ajër të pashëndetshëm

Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP) ka publikuar të premten një hulumtim rreth cilësisë së ajrit në Kosovë.

Sipas hulumtimit, në Prishtinë të dhënat e siguruara nga Agjencia për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës (AMMK) tregojnë se ajri është “i pashëndetshëm” 50 për qind të kohës, “shumë i pashëndetshëm” në 20 për qind të kohës dhe “i rrezikshëm” në 5 për qind të kohës.

Në tre vjetët e fundit, kryeqyteti kosovar ka shënuar ndotje enorme të ajrit. Të dhëna këto që janë zbuluar nga matjet e bëra nga Ambasada Amerikane në Prishtinë. Sipas tyre, Prishtina në periudhën e dimrit, në disa periudha është renditur ndër vendet me shkallë më të lartë të ndotjes në botë.

Reklama e sponzorizuar

Hulumtimi i INDEP-it ka bërë të ditur se burimet kryesore të ndotjes janë: KEK-u me dy termocentralet me thëngjill (dhe linjit) në Obiliq, që janë aktive gjatë gjithë vitit, transporti rrugor, druri dhe qymyri, “Termokosi”, industria komplekse në Mitrovicë, “Ferronikeli”, “SharrCem” në Han të Elezit, “Ballkani” në Suharekë, si dhe industria bazë e rëndë që aktualisht nuk funksionon (Gjakovë, Pejë, Gjilan).

Sipas INDEP-it, ky studim ka treguar se nga 1000 vdekje në Kosovë, 6 janë si pasojë e ndotjes së ajrit.