Fshati Uçë në Istog, të dielën paralajmëron protestë për ujin

Banorët e fshatit Uçë të Istogut do të protestojnë për ujin, të dielën e 25 gushtit.

“Me datë 25 gusht ditë e diel, në ora 13:00, banorët e fshatit Uçë kanë paralajmëruar që do të mblidhen në vendburimin e ujit në Vojdull, në shenjë pakënaqësie për gjendjen e ujësjellësit dhe mungesës se ujit të pijes për banorët e fshatit Uçë”, thuhet në njoftimin në faqen e fshatit në Facebook.

Sipas njoftimit, protesta vjen duke parë që organet kompetente nuk morën as edhe një hap të vetëm që të bëjnë zgjidhje për këtë problem, edhe pse disa ditë me parë ishin paralajmëruar për këtë problem.

Reklama e sponzorizuar

“Ftohen banorët e fshatit që ta ngrenë zërin e tyre, ditën e diel, në Vojdull. E drejta për protestë, është e drejtë e secilit prej nesh sidomos kur institucionet përgjegjëse nuk arrin që ta sigurojnë as njërin nder elementet kryesore për jetë e që është uji i pijes”, thuhet në njoftim.

“Ftojmë edhe njëherë organet përgjegjëse që deri ditën e diel të ndërmarrin hapa konkretë, në të kundërtën do të ballafaqohen çdo ditë me presionin legjitim të banorëve të fshatit Uçë”, thuhet më tej aty.