Ish-ortaku në biznes i ministrit Lluka punësohet në projektin e “Kosovës së Re”

Serton Ajeti, ish-ortaku në biznes i Ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, ka gjetur punë në Njësinë për Implementimin e Projektit “Kosova e Re”, e themeluar nga Komiteti Ndërministror me të cilin udhëheq vetë ministri Lluka.

Agon Sinanaj

Në vitin 2011, derisa Valdrin Lluka mbante pozitën e kryeshefit ekzekutiv në Agjencinë për Promovimin e Investimeve të Kosovës (APIK), në të njëjtën agjenci ishte punësuar edhe Serton Ajeti, ortaku i Llukës në atë kohë në biznesin e quajtur “Dardanica”.

Reklama e sponzorizuar

Tetë vjet më vonë, dy ortakët e dikurshëm në biznes, u bashkuan sërish por tash në një dikaster tjetër.

Në nëntor të vitit 2018, Serton Ajeti ka gjetur punë në Njësinë për Implementimin e projektit “Kosova e Re”, njësi kjo e themeluar nga Komiteti Ndërministror që udhëhiqet nga vetë ministri Lluka.

Dallimi i vetëm është se tashmë Lluka nuk është më hisedar në biznesin “Dardanica”.

Në deklarimin e pasurisë për vitin 2019, Lluka nuk e ka deklaruar fare këtë biznes. Derisa në 2017 dhe 2018 Lluka kishte deklaruar 50% aksione në kompaninë “Dardanica Group”.

Heqja dorë nga aksionet në “Dardanica” përputhet me kohën e punësimit të Ajetit në projektin për “Kosovën e Re”.

Buletini Ekonomik ka pyetur në MZHE për lidhjet e Llukës e Ajetit si dhe ortakërinë e tyre në biznes.

Lulzim Demolli, Shef i Kabinetit të ministrit Lluka, ka thënë se Ajeti në projektin për “Kosovën e Re” është rekrutuar, intervistuar dhe paguhet nga USAID. Kjo e fundit ofron asistencë për ministrinë në këtë projekt.

Nga USAID nuk kanë qenë të gatshëm të deklarohen lidhur me angazhimin e Ajetit dhe nëse ai paguhet nga ta.

Në rrjetin social facebbok, Ajeti thotë se punon në Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik si ekspert në projektin “Kosova e Re”.

I kontaktuar nga Buletini Ekonomik, ai ka shpjeguar se është i angazhuar nga USAID-i në projektin “Kosovo Energy Security of Supply” që merret me energji, por që një komponent e ka për ofrimin e asistencës në projektin “Kosova e Re”.

“Krejt procedurat i ka udhëhequr  USAID-i, projekti funksionon në kuadër të Njësisë për Implementimin e “Kosovës së Re”, që e ka krijuar Komiteti Ndërministror”, ka thënë Ajeti.

Ai e ka konfirmuar se me ministrin aktual të Zhvillimit Ekonomik kanë qenë në relacione biznesi në të kaluarën, mirëpo ka mohuar kategorikisht që kjo të këtë ndikuar për ta marrë pozitën aktuale.

“Me Valdrinin e kemi pas biznesin, por Valdrini ma vonë ka dalë edhe që katër vite nuk funksionon ai biznes”, ka thënë ai. Edhe Ajeti ka thënë se procedurat e rekrutimit i ka udhëhequr USAID-i dhe se është pozitë që kërkon ekspertizë.

“I kam dy mastera jashtë vendit. Jam i përgatitur për pozitën”, ka thënë ai.

Afërsia e Llukës e Ajetit përtej ortakërisë

Mirëpo afërsia mes Llukës e Ajetit duket të ketë qenë përtej ortakërisë. Në të kaluarën ata kanë punuar së bashku në së paku dy vende në sektorin publik, pa përfshirë këtë të fundit në MZHE.

Lluka ishte punësuar në muajin gusht të vitit 2011 në MTI si kryeshef ekzekutiv në Agjencinë për Promovimin e Investimeve të Kosovës. Një muaj më pas, në shtator të atij viti, ishte punësuar Ajeti.

Para se të angazhohej nga Lluka në MTI, Ajeti kishte punuar në Agjencinë Kosovare të Privatizimit. Në atë institucion më herët kishte punuar edhe Lluka.

Po ashtu të dy kishin studiuar në Universitetin Amerikan në Bullgari. /Buletini Ekonomik/