Ambasadori i Britanisë: Nepotizmi, korrupsioni e kapja e shtetit do ta shkatërrojnë Kosovën

Nuk ka vonuar përkrahja e ambasadorit britanik në Prishtinë, Ruairí O’Connell, për Ambasadën Amerikane, që ndoqi pikërisht shembullin e tij, duke u tërhequr nga Bordi i Agjencisë për Krahasim dhe Verifikim të Pronës.

Duke shpërndarë njoftimin e Ambasadës së SHBA-së, O’Connell ka thënë se ai kishte dhënë dorëheqje nga bordi i KPCVA-së kur Kuvendi i Kosovës emëroi Naser Shalën, siç e vlerëson ai, të pakualifikuar dhe të paaftë si kryetar të saj, vetëm për shkak të lidhjeve me deputetë që nga koha e tij në UÇK.

“Kuvendi injoroi një kandidat të kualifikuar i cili nuk i kishte këto lidhje. Tani SHBA-ja ka ndjekur shembullin tonë”, ka thënë O’Connell.

Reklama e sponzorizuar

“Nuk ka kuptim të harxhojmë kohën tonë duke u përpjekur që të ndihmojmë institucionet e Kosovës kur shumica në Kuvendin e Kosovës nuk kujdeset për këtë, dhe kur individët nuk ndjejnë turp për të marrë punë në mënyrë të padrejtë e të cilën ata nuk mund të bëjnë siç duhet. Nepotizmi, kronizmi, korrupsioni dhe kapja e shtetit do ta shkatërrojnë Kosovën. Durimi i miqve të Kosovës po ftohet. Qytetarët e Kosovës meritojnë më mirë, por vetëm nëse vendosin të ndëshkojnë ata që përfshihen në këto praktika”, ka thënë O’Connell. /Koha