MPMS-ja shton kriteret për të përfituar nga Ligji për mësimdhënësit e viteve ‘90

Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS) është duke kërkuar dokumente shtesë për aplikuesit që duan të përfitojnë nga Ligji për statusin e punëtorëve të arsimit shqip të viteve ‘90-‘99.

Ndonëse udhëzimi administrativ për kushtet dhe kriteret e realizimit të së drejtës në kompensim shtesë për punëtorët e arsimit shqip të viteve ‘90 nuk parasheh fatura të tatimit në pronë, MPMS-ja po ua kërkon këtë dokument të gjithë aplikuesve të kësaj kategorie, shkruan sot Koha Ditore.

Punëtorët e arsimit që janë angazhuar gjatë viteve ‘90 thonë se Ministria e Punës po e shkel udhëzimin i cili parasheh kriteret për realizimin e kësaj të drejte. Ky udhëzim ka hyrë në fuqi në korrik të këtij viti.

Reklama e sponzorizuar

Disa nga dokumentet që kërkohen për aplikim, sipas udhëzimit, janë letërnjoftimi, ekstrakti i lindjes, ekstrakti i kurorëzimit ose ekstrakti i vdekjes, vërtetimi i përvojës së punës, vendimi i pensionimit, llogaria bankare.

Kërkesa për dokumente shtesë për aplikim nga Ministria e Punës po kritikohet edhe nga Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK).Kryetari i saj, Rrahman Jasharaj e ka ftuar Ministrinë e Punës që t’i përmbahet udhëzimit që përcakton kriteret për aplikim.