Një ditë automobilat elektrikë do të jenë automobila krejt të zakonshëm

Kur një prodhues i madh shpalos një automobil elektrik në ditët e sotme merr shumë vëmendje. Kjo, sepse automobilat elektrikë janë të veçantë e futuristikë. Por një ditë automobilat elektrikë do të jenë automobila krejt të zakonshëm.

Se kur do të ndodhë kjo është çështja që, sipas analistëve, ka sjellë mendime të gabuara në autoindustri. Analistët në “Bloomberg New Energy Finance” kanë parashikuar se 20 vjet më vonë, më shumë se gjysma e automobilave të rinj të shitur do të jenë elektrikë.

“Ne shohim mundësi reale që shitjet globale të automobilave tradicionalë me pasagjerë kanë kaluar majën e parashikimeve”, ka thënë Colin McKerracher, shef i transportit të avancuar për “BNEF”.

Reklama e sponzorizuar

Por, në mënyrë që automobilat elektrikë të garojnë në të vërtetë me automobilat tradicionalë, duhet të ndodhin disa gjëra fillimisht – e ato s’janë askund tash për tash, shkruan CNN.

Udhëtimi në distancë

Fillimisht, automobilat elektrikë do të duhej të ecnin më shumë me një mbushje të vetme dhe duhet të mbushen më shpejt.

Seth Goldstein, hulumtues i kësaj industrie në kompaninë “Morningstar”, ka parashikuar që për 10 vjet automobilat elektrikë do të mund të kalojnë mesatarisht 300 milje me një mbushje të baterisë, që, sipas tij, duhet të jetë e mjaftueshme për rehatinë e shumicës së njerëzve. Aktualisht, automobilat elektrikë mund të kalojnë rreth 200 milje distancë me një mbushje, ka thënë ai. Edhe pse 200 milje është më shumë se mesatarja që njerëzit ngasin në ditë, dallimi është më shumë psikologjik. Njerëzit janë mësuar të bëjnë më shumë se 200 milje me një rezervar të plotë karburanti.