Pacolli e rehaton edhe një ish-këshilltar, Haxholli emërohet drejtor i Akademisë Diplomatike

Akademia Diplomatike, një institucion që funksionon brenda Ministrisë së Punëve të Jashtme, është bërë me drejtor të ri.

Pas largimit nga pozita të drejtorit të Përgjithshëm, Beqir Ismajlit, nga 1 gushti, këtë pozitë do ta zërë Fatmir Haxholli, ish-këshilltar i ministrit në dorëheqje Pacolli, raporton KTV.

Haxholli thotë se vendimi për emërimin e tij në këtë pozitë, ministri Behgjet Pacolli, e ka marrë më herët e jo pas dorëheqjes së kryeministrit Haradinaj, megjithëse nuk përmend datën se kur është marrë vendimi.

Reklama e sponzorizuar

Haxholli bën të ditur se para emërimit për drejtor, fillimisht nga këshilltari ishte angazhuar si shërbyes civil në Akademi.

Ai beson të ketë përgatitjen e duhur dhe synon rimëkëmbjen dhe fuqizimin e Akademisë, pavarësisht se siç shprehet, ka në dispozicion staf në numër modest.

Ministria e Punëve të Jashtme, sërish nuk u është përgjigjur pyetjeve të televizionit për emërimet e fundit në këtë dikaster dhe kohën e vendimmarrjes.

Javën e kaluar, KTV-ja raportoi për emërimin e ish-këshilltarëve dhe anëtarëve të partisë së Pacollit në misione diplomatike në vende të ndryshme të botës.

Përndryshe, drejtuesi i fundit Akademisë Diplomatike, Beqir Ismajli, për të cilin gazeta “Koha Ditore” kishte raportuar të jetë dënuar për plagjiaturë në Egjipt, është dërguar për të udhëhequr misionin diplomatik në Arabinë Saudite.