Arrihet marrëveshja për pensionet nga Zvicra, nga 1 shtatori mund të aplikohet për to

Nga fillimi i muajit tetor, kosovarët të cilët kanë punuar në Zvicër, do të mund t’i marrin pensionet e tyre, ndonëse ka 10 vjet që një e drejtë e tillë u është mohuar.

Krejt kjo falë një marrëveshjeje të arritur ndërmjet Kosovës dhe Zvicrës, e cila do të hyjë në fuqi më 1 shtator të këtij viti.

Megjithatë kjo marrëveshje nuk parasheh përfitime retroaktive, por vetëm nga data e hyrjes në fuqi të saj, raporton KTV.

Reklama e sponzorizuar

Kjo, për përfaqësuesit e këtyre pensionistëve që janë rreth 1 mijë, është diskriminuese.

Marrëveshja për Sigurimet Sociale me Zvicrën është në fazën përfundimtare, e cila është ratifikuar nga parlamentet e të dyja shteteve dhe sipas ministrit të Punës dhe Mirëqenës Sociale, Skënder Reçica, më 15 gusht do të finalizohen të gjitha punët teknike dhe do të publikohet një manual për këta përfitues.

Skënder Reçica, ministër i Punës dhe Mirëqenës Sociale ka thënë se kanë bërë përpjekje që të ketë edhe kompensim retroaktiv, por shteti zviceran nuk e ka pranuar një gjë të tillë.

Për marrëveshje të tilla, Kosova ka filluar procedurat edhe me disa shtete tjera, megjithatë ato ende nuk i kanë miratuar të njëjtat.