Për 3 javë në autostradën “Arbën Xhaferi” u shqiptuan 33 gjoba

Policia e Kosovës njofton se për tri javë ka shqiptuar 33 gjoba në autostradën “Arbën Xhaferi”.

Kujtojmë se kjo autostradë që po cilësohet si më e mira në rajon, ku u investuan 706 milionë euro, është shumë e re. Përurimi i saj u bë më 29 maj 2019.

Policia e Kosovës, konkretisht Njësia për Kontroll të Autostradave, me qëllim të parandalimit të aksidenteve në autostradën ‘Arbën Xhaferi’, ka hartuar dhe ka zbatuar një plan operativ.

Reklama e sponzorizuar

“Disa pjesëmarrës në trafik, në autostradën ‘Arbën Xhaferi’, konkretisht në urën mbi lumin Lepenc, për kuriozitet dhe për shkak të bukurive që ofron kjo urë, ndalojnë me automjetet e tyre në shiritat emergjentë dhe zbresin nga automjetet ku në shumë raste bëjnë edhe fotografime të ndryshme e kjo është bërë edhe në grupe, me çka është rrezikuar siguria e tyre dhe e pjesëmarrësve të tjerë në trafik”, thuhet në raportin policor.

Policia me qëllim të shtimit të sigurisë në autostradë, gjatë tri javëve të shkuara ka shqiptuar gjithsejtë 33 tiketa në këtë lokacion, transmeton Koha.net.

“Policia e Kosovës, apelon dhe kërkon nga qytetarët në përgjithësi dhe drejtuesit e automjeteve në veçanti, që të respektojnë rregullat e trafikut rrugor, me theks të veçantë të mos bëjnë shkelje të rregullave të qarkullimit në autostradë sepse po rrezikojnë jetën e tyre dhe të tjerëve. Policia do të ndëshkojë të gjithë ata që bëjnë shkelje të tilla”, përfundon njoftimi.