Kritika për dhënien e 815 mijë eurove për “Let’s do it Kosova” pa u respektuar procedurat

815 mijë euro i janë ndarë organizatës “Let’s do it Kosova”, me vendim të Qeverisë pa u respektuar procedurat për ndarjen e parave publike.

Kjo ka qenë njëra prej kritikave që iu është drejtuar përfaqësuesve të Zyrës së Kryeministrit në mbledhjen e Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike ku është diskutuar raporti vjetor i Auditorit për vitin 2018, për Zyrën e Kryeministrit.

Kryetari i komisionit, deputeti Driton Selmanaj, ka thënë se është edhe më shqetësuese që e njëjta shumë, në të njëjtën mënyrë është ndarë edhe këtë vit, raporton Koha Ditore.

Reklama e sponzorizuar

Sekretari i Qeverisë, Fitim Krasniqi, ka thënë se projekti në fjalë është miratuar në Qeveri me kërkesë të ministrit të Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi, cili ka thënë se ka qenë edhe koordinator i task forcës për realizimin e aksionit “Ta pastrojmë Kosovën”.

Deputeti i LDK-së Avdullah Hoti, ka thënë se ndarja e këtyre mjeteve pa u zhvilluar asnjë procedurë është shqetësuese. “Vetëm është marrë vendimi dhe pastaj bazuar në të janë zhvilluar pagesat”, ka thënë Hoti.