Taksa 100% preku sidomos çmimet e produkteve ushqimore, rritja 7.6 për qind

Banka Qendrore e Kosovës (BQK) në raportin e Stabilitetit Financiar, paralajmëron për rritje të çmimeve të produkteve në Kosovë, edhe në vitin 2019, përcjell Buletini Ekonomik.

Në këtë raport, i publikuar së fundi, thuhet se përderisa gjysma e parë e vitit 2018 u karakterizua me rritje më të ngadalshme të çmimeve, gjysma e dytë dhe veçanërisht tremujori i fundit shënuan rritje të çmimeve.

“Për vitin 2019, projeksionet e BQK-së sugjerojnë se shkalla mesatare e inflacionit pritet të jetë rreth 2.3 përqind. Megjithatë, shkalla e inflacionit në vend në vitin 2019 është gjithashtu subjekt i rishikimit, veçanërisht kur kemi parasysh rritjen e përgjithshme të çmimeve, veçanërisht çmimeve të ushqimit prej 7.6 përqind”, thuhet në raportin e BQK-së.

Reklama e sponzorizuar

Kjo rritje thuhet në raport i atribuohet vendimit politik të ndërmarrë për të vënë taksë prej 100 përqind në produktet e importuara nga Serbia dhe Bosnja dhe Hercegovina, vendim që vazhdon të jetë në fuqi.

“Tkasa 100% ndikoi deri në një masë rritjen e çmimeve brenda vendit, me efekte potenciale në të ardhurat e disponueshme dhe fuqinë blerëse të konsumatorëve në vitin 2019”, vlerëson BQK. /Buletini Ekonomik/