Ministria e Tregtisë dhe Industisë diskriminon punëtorët e saj në paga

Zvogëlimi i  buxhetit për paga dhe mëditje, nga ana e Qeverisë ka rezultuar me diskriminimin e disa punonjësve në pagat e tyre, në Ministrinë e Tregtisë dhe Infrastrukturës, të cilët marrin pagën më të ulët nga ajo që shkruan në kontratat e tyre të punës, përcjell Buletini Ekonomik.

Zyra Kombëtare e Auditimit ka identifikuar gjithsej 15 raste (punonjës), ku vlera e paguar nuk përputhet me vlerën e specifikuar në akt emërim, pra pagesa është më e ulët.

“Nga gjithsej 15 raste, shtatë pozita janë asistente administrative, të cilat kanë koeficientin 6 ndërsa paguhen me koeficientin 5, dy pozita njëra regjistruese e pengut dhe tjetra arkiviste posedojnë koeficientin 6 ndërsa paguhen me koeficientin 5.5 dhe gjashtë pozita janë inspektorë të cilët kanë koeficientin 8, ndërsa paguhen me koeficientin 7” thuhet në këtë raport.

Reklama e sponzorizuar

Po ashtu, Auditori i Përgjithshëm ka identifikuar edhe një rast, ku pozita udhëheqës i divizionit për TI dhe shërbime logjistike në departamentin për financa dhe shërbime të përgjithshme në MTI, nuk përfiton asnjë shtesë si staf deficitar.

Në këtë ministri në vitin 2018, buxheti fillestar për paga dhe mëditje ka qenë 1.681.955 euro, kurse ai final 1.591.815 euro, mirëpo, me vendim të Qeverisë, ky buxhet është zvogëluar në 90.140 euro, prej të cilave: 674 euro sipas vendimit nr. 07/80 i datës 18.12.2018 dhe 89.466 euro sipas vendimit  nr.02/70 i datës 19.10.2018, me arsyetimin për kursime, transfere dhe ndarje buxhetore.

Pagat dhe mëditjet e punonjësve të MTI-së paguhen përmes një sistemi të centralizuar të pagave, që menaxhohet nga Ministria e Financave dhe MAP.

Me ligjin e buxhetit janë të aprovuar gjithsej 248 punonjës, numër ky i cili përfshin edhe kabinetin e ministrit me 13 pozita dhe pjesën tjetër të stafit prej 235, që janë pozita të shërbyesve civilë, thuhet më tej në këtë raport.

Kjo mospagesë e personelit sipas kontratës së punës  rrit rrezikun që Ministria e Tregtisë dhe Infrastrukturës të paditet nga palët e dëmtuara dhe kjo padi do të dëmtonte buxhetin e ministrisë për pjesën e shpenzimeve administrative dhe gjithashtu do të zvogëlonte motivin e punonjësve për punë.

Auditori i Përgjithsëm i rekomandon kësaj ministrie t’i rishikojë rastet e tilla dhe të sigurojë se do të kompensohen punonjësit e dëmtuar, sipas koeficientit të përcaktuar me akt emërim. (Mirjeta Shabani) /Buletini Ekonomik/