Ministria e Limajt në ‘luftë’ me Lladrovcin për parkun e biznesit në Drenas

Komuna e Drenasit, që udhëhiqet nga Ramiz Lladrovci, të drejtën e saj për t’i realizuar të hyrat nga Parku i Bizneseve në Drenas për vitin 2018, ka arritur ta realizoi vetëm përmes gjykatës. Pengesë për Lladrovcin u bë bashkëpartiaku i dikurshëm në PDK, Fatmir Limaj, partia e të cilit, Nisma Social Demokrate, udhëheq me Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë (MTI).

Sipas Auditorit të Përgjithshëm, kjo ministri nuk kishte respektuar një memorandum mirëkuptimi që e kishte me komunën e Drenasit, pika 15 e të cilit thoshte se 70 për qind e të hyrave të realizuara nga parku i biznesit në Drenas duhet t’i takojnë komunës se Drenasit.

“Meqenëse MTI nuk kishte kryer transferin e këtyre të hyrave me kohë, Komuna e Drenasit përmes vendimeve gjyqësore kishte realizuar të drejtën e shfrytëzimit të këtyre të hyrave në vlerë prej 291,072 euro”, thuhet në raportin e Auditorit për MTI-në, përcjell Buletini Ekonomik.

Reklama e sponzorizuar

Si pasojë, MTI, këto detyrime i kishte paguar nga kategoria e investimeve kapitale, duke dëmtuar këtë kagtegori.

Auditori kishte vërejtur edhe dy pagesa tjera që u kryen në mënyrë të parregullt nga kategoria e investimeve kapitale.

“Një pagesë prej 9,000 euro ishte kryer për studim fizibilitetit për zonat ekonomike në Malishevë, dhe 5,015 euro tjera ishin paguar për revidimin e projektit për parkun industrial në Lumadh në komunën e Vushtrrisë. Dy pagesat e fundit do duhej të klasifikohen në kategorinë e mallrave dhe shërbimeve, ndërsa ishin kryer nga investimet kapitale”, thuhet në raport. /Buletini Ekonomik/