Auditimi gjen se MKRS ngec në investimet kapitale, paguan pa dëshmi për punë

Mospërfillje të disa prej rekomandimeve nga auditimet e kaluara, mosplanifikim i shpenzimeve në kategoritë adekuate ekonomike, mosarsyetim i projekteve të organizatave joqeveritare në kohën e paraparë, praktika të lidhjes së kontratave pa procedura të rekrutimit, janë disa nga gjetjet e auditorëve për Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit për vitin e kaluar.

Në gjithsej 44 faqe, Raporti i Auditimit për vitin financiar të përfunduar më 31 dhjetor 2018 ka vlerësuar punën njëvjeçare të Ministrisë në përpjekje për “fuqizimin e llogaridhënies në Administratën Publike”.

Ndër vërejtjet kryesore, me të cilat hapet Raporti i Zyrës Kombëtare të Auditimit, është se MKRS-ja gjatë vitit të kaluar kishte realizuar pagesa në vlerë prej 390.455 eurosh nga kategoritë ekonomike joadekuate.

Reklama e sponzorizuar

Një problem i evidentuar është pagesa në vlerë prej 273.913 eurosh për punëtorët e angazhuar për punë në terren nga Instituti Arkeologjik i Kosovës, që, siç thuhet në raport, është bërë “sipas rregullores nr. 01/2009 për pagesën e punëtorëve në terren, e cila është e shfuqizuar me vendim të Qeverisë”.

Rreth 153.864 euro është shuma e subvencioneve të dhëna që nuk janë arsyetuar nga përfituesit e tyre, ndonëse bartësit e projekteve janë të obliguar që t’i arsyetojnë shpenzimet e realizuara në afat prej 30 ditësh.

Si çështje e renditur për “opinion të kualifikuar” është edhe vendimi i Qeverisë së Kosovës, bazuar në Marrëveshjen e Brukselit të vitit 2015, që 31 pjesëtarë të strukturës ilegale të ashtuquajtur “Mbrojtja civile” të caktoheshin në departamente të ndryshme të MKRS-së në veri të vendit. “Për këta zyrtarë, MKRS-ja nuk ka ofruar ndonjë dëshmi, siç janë vijueshmëria në punë apo raporte për punën e kryer gjatë vitit 2018. Shpenzimet e pagave gjatë vitit 2018 ishin 163.363 euro”, thuhet në raport. Ndonëse vlera e pasurisë kapitale në MKRS është 33.066.055 euro, ky institucion, sipas auditorëve, nuk ka bërë përparime sa u përket identifikimit, vlerësimit dhe regjistrimit të objekteve dhe pronave të saj.

Në pjesën për planifikimin dhe realizimin e buxhetit, auditorët kanë gjetur se gjatë vitit 2018, MKRS-ja ka shpenzuar 90 për qind të buxhetit final ose 29 milionë e 952 mijë e 621 euro, me një rënie prej 6 për qind krahasuar me vitin 2017.

Auditorët kanë gjetur se buxheti final i investimeve kapitale i MKRS-së ishte zvogëluar për 7 milionë e 954 mijë e 902 euro krahasuar me buxhetin fillestar. Kjo ishte si rezultat i transfereve në linjat e tjera buxhetore në vlerë 2 milionë e 878 mijë e 528 euro dhe reduktimit me vendime të Qeverisë në vlerë prej 5 milionë e 76 mijë e 374 eurosh. Kësisoj buxheti për investime kapitale i MKRS-së del që nga 22 milionë e 328 mijë e 606 euro të jetë shkurtuar në 14 milionë euro, nga të cilat janë shpenzuar vetëm 12 milionë e 692 mijë e 732 euro.