Buxheti dëmtohet për 30 mijë euro në projektin për hapjen e Qendrës së Inovacionit në Ferizaj

Ministria e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë dhe Komuna e Ferizajt kishin lidhur një marrëveshje vitin e kaluar për financimin e projektit “Qendra e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë në Ferizaj” në vlerë 373,231 euro, përcjell Buletini Ekonomik.

Por ndonëse ishin ndarë mjetet dhe ishte zgjedhur kompania që do të merrej me blerjet e pajisjeve, shumë prej punëve të parapara nuk u kryen, konstaton Auditori i Përgjithshëm në raportin e Auditimit për Ministrinë e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë.

Rreth 30 mijë euro është dëmtuar buxheti sipas Auditorit në këtë projekt, si dhe nga neglizhenca e Ministrisë dhe komunës qëndra ende nuk është hapur.

Reklama e sponzorizuar

“Si përfundim, vlera e pozicioneve të identifikuara, të cilat janë paguar por nuk janë kryer ishte 28,360 euro. Kjo kishte ndodhur si rezultat i mungesës së përgjegjësisë për punën e kryer nga mbikëqyrësi i projektit, dhe si pasojë e neglizhencës së menaxhmentit për të mbikëqyrur projektin e financuar nga MIN”, thuhet në raportin e Auditorit.

Me projektin fillimisht parashihet që kjo ministrit do ta caktojë një zyrtar për mbikëqyrjen e realizimit të projektit nga fillimi deri në përfundim të kontratës, por kjo sipas Auditorit nuk kishte ndodhur.

Po ashtu, parashihej që Komuna e Ferizajt të emëroj projekt menaxherin/organin mbikëqyrës i cili me përgjegjësi të plotë vërteton sasinë dhe kualitetin e punëve të kryera në bazë të të cilave operatori ekonomik lëshon dokumentin financiar me kërkesë për pagesën e punëve të kryera në bazë të kushteve të kontratës.

“Komuna obligohet që të njoftoj MIN për rrjedhat e realizimit të projektit sipas një plani dyjavor deri në përfundim të projektit. Të dy palët nuk ishin respektuar këto pika të marrëveshjes, me ç`rast ministria nuk kishte caktuar zyrtarin për mbikëqyrje të realizimit të projektit dhe as komuna nuk kishte njoftuar ministrinë për rrjedhat e realizimit të projektit”, thuhet në raport.

Në pagesën e testuar në vlerë 134,645 euro, të kontratës “Qendra e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, renovimi i Qendrës së Kulturës “në vlerë 149,620, Auditori thotë se ishte identifikuar se këto pozicione të cilat ishin lëshuar në dokumentacionin financiar për pagesë si të përfunduara nga operatori ekonomik dhe të verifikuara nga menaxheri i projektit i komunës, nuk ishin kryer.

Pozicionet e paguara, por të pa përfunduara, ishin:

-Punët e meremetimit: Krijimi i rampave sipas standardeve, në korridorin kryesore me disnivel prej 70cm, në dy nivele, me vlerë 840 euro;

-Furnizimi dhe montimi i dyerve të reja nga materiali i njëjtë me ato ekzistuese me dimensione 90*220cm, me vlerë 2,800 euro (35copë*80€=2,800e uro);

-Furnizim dhe montim i derës për dalje emergjente me hapje nga hapësira, me vlerë 150 euro;

– Përpunimi i dyshemesë nga parketi dhe sipas nevojës të ketë ndërhyrje nëpër vende të caktuara me qëllim përmirësimin e parketit, në vlerë 990 euro;

-Ngrohja-Ftohja, sistemi VRF-VRV Pozicioni nr. 3. Mbrojtëse për borë që vendosen mbi VRF nga llamarina e zinguar, në vlerë 180 euro;

– Ventilatorë konvektor kasetore VRF, tërheqje të ajrit në mes dhe prurja në të katër anët e maskës së ventilator konvektorit, për montim në lartësi maksimale për ngrohje deri në 3.5m, me maskë, pompë për kondenzator, me mundësi të lidhjes në BMS, me fuqi termike në ftohje 7.10KË, fuqi termike në ngrohje 8,00KË, në vlerë 1700 euro;

– Ventilatorë konvektor kasetore VRF, tërheqje të ajrit në mes dhe prurja në të katër anët e maskës së ventilator konvektorit, për montim në lartësi maksimale për ngrohje deri në 3.5m, me maskë, pompë për kondenzator, me mundësi të lidhjes në BMS, me fuqi termike në ftohje 3,60KË, fuqi termike në ngrohje 4,00KË, në vlerë 21,700€ (31cop*700€=21,700€);

Në fund, Auditori konstaton se mungesa e zyrtarit mbikëqyrës nga Ministria e Inovacionit dhe në anën tjetër mos raportimi nga komuna, rrezikon realizimin e projektit sipas cilësisë së duhur dhe mund të jetë faktor i mos realizimit të projektit deri në këtë fazë.

“Më tej, nënshkrimi i raporteve nga menaxheri kontratës së komunës, para se punimet e kontraktuara të jenë kryer, rritë rreziku”, thuhet në raport. /Buletini Ekonomik/