AAK nuk e ka në plan të shkarkojë ministrat e saj me aktakuza për korrupsion

AAK’ja nuk e ka ndërmend të shkarkojë ministrat me aktakuza për korrupsion. Kreu i PDK’së, Kadri Veseli para disa ditësh doli me vendimin që njerëzit e partisë së tij, të përfshirë në afera korruptive dhe nepotizëm të largohen nga pozitat publike në Kosovë. Figurat që dhanë dorëheqje të menjëhershme ishin ministri Besim Beqaj, zv/ministri Agim Çeku dhe këshilltari, Nijazi Kryeziu.

Megjithatë, një hap të tillë nuk mendon të ndërmarrë Aleanca për Armërinë e Kosovës, ndonëse thirrje të vazhdueshme po bëjnë ambasadat e huaja në këtë drejtim.

Nënkryetari i AAK’së, Ahmet Isufi ka thënë se nuk e kanë ndërmend të shkarkojnë ministrat me aktakuza, meqë sipas tij, nuk ka aktgjykim të prerë ndaj tyre.

Reklama e sponzorizuar

“Me vet faktin që nga ana partiake është bërë veprimi mbetet ashtu. Nëse është dashtë të bëhet si vendim i përbashkët i koalicionit atëherë është dashur krerët institucionalë, këtë rast politikë të ulen dhe ta bëjnë në parim vendimin. Por me që është bërë në mënyrë politike partiake atëherë secila parti ka qëndrimet e veta dhe vendimet e veta ndaj anëtarëve të vet të Qeverisë. Ne nuk kemi ndonjë vendim tani për shkak se nuk jemi takuar që të mund të kemi një qëndrim rreth kësaj. Megjithatë konsideroj se çështja e akuzave dhe konfrontimin me ligjin është çështje e drejtësisë, nuk është çështje puro politike”, ka thënë Ahmeti për Ekonomia Online.

Vendimi i Veselit u mirëprit nga të gjithë. Thirrje pati edhe ndaj partive të tjera që të marrin si model shkarkimin e zyrtarëve të tyre që kanë problem me drejtësinë.