Cili është kryetari komunal më i pasur në Kosovë?

Kryetari i Mitrovicës së Jugut, Agim Bahtiri, i prin listës me pasurinë më të madhe nga kryetarët e komunave të Kosovës.

Sipas deklarimit të pasurisë që ka bërë në Agjencinë Kundër-Korrupsion, Bahtiri ka pasuri të paluajtshme në vlerë prej 7 milionë e 560 mijë euro, raporton KTV.

Bahtiri ka deklaruar se posedon veturë në vlerë prej 10 mijë euro dhe para të gatshme 10 mijë euro.

Reklama e sponzorizuar

Pasuri të paluajtshme, njëjtë ka deklaruar edhe vitin e kaluar, derisa 7 mijë e 150 euro ka pasur të gatshme gjatë 2018-s.

Pas tij, si më i pasuri është kryetari i Pejës, Gazmend Muhaxheri, me 2 milionë e 440 mijë euro pronë të paluajtshme, sa kishte edhe vitin e kaluar.

Muhaxheri ka deklaruar se në vitin 2019, ashtu sikurse edhe vitin e kaluar, posedon dy vetura në vlerë prej 26 mijë eurosh së bashku.

Derisa më 2018-n kishte 20 mijë euro para të gatshme, një gjë të tillë nuk e ka deklaruar këtë vit.

Kryetari i Prizrenit, Mytaher Haskuka, është i treti në listën e më të pasurve të komunave me 2 milionë e 327 mijë euro pasuri të paluajtshme këtë vit, 400 mijë më pak se sa vitin e kaluar.

E, Haskuka ka blerë një veturë më shumë, duke pasur në posedim këtë vit 3 vetura.

Para të gatshme këtë vit ka deklaruar se ka 6 mijë euro, 1 mijë më shumë sesa vitin e kaluar.

Milioner është edhe kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri, që këtë vit ka deklaruar se ka pasuri të paluajtshme në vlerë prej 1 milion e 851 mijë eurosh, 201 mijë më shumë se sa vitin e kaluar.

Haziri posedon shumë të lartë edhe të parave të gatshme, 229 mijë e 353 euro, ose 42 mijë e 159 më shumë sesa në vitin 2018.

Si më i pasuri në top 5-shën e kryetarëve, është edhe Stevan Vuloviq, kryetar i Zubin Potokut, me 1 milion e 50 mijë euro pasuri pronësore, rreth 2 milionë e 50 mijë euro, më pak se vitin e kaluar.