Banka Botërore mbështet bizneset kosovare me 22.3 milionë euro

Bordi i Drejtorëve Ekzekutivë të Bankës Botërore në Washington DC ka miratuar një projekt të ri për Kosovën, Projektin e Fuqizimit të Sektorit Financiar në Kosovë, për të përmirësuar qasjen në financa për Ndërmarrjet Mikro, të Vogla dhe të Mesme, duke përfshirë bizneset fillestare, sipërmarrësit e rinj dhe bizneset në pronësi të grave, përmes forcimit të kapacitetit financiar dhe teknik të Fondit Kosovar për Garanci Kreditore.

Mbështetja financiare për projektin është 22.3 milionë euro.

“Banka Botërore ka kënaqësinë të mbështesë përpjekjet e autoriteteve të Kosovës për të rritur qasjen në financa me qëllimin përfundimtar të rritjes së krijimit të vendeve të punës në sektorin privat”, tha Marco Mantovanelli, Menaxher i Bankës Botërore për Kosovën.

Reklama e sponzorizuar

Projekti financohet me kredi nga Shoqata Ndërkombëtare për Zhvillim (IDA) e Grupit të Bankës Botërore. Kreditë e IDA-s jepen me kushte koncesionare me interes shumë të ulët dhe periudha të gjata të kthimit. Financimi i këtij projekti ka afat kthimi (maturimi) prej 30 vjet, përfshirë këtu një grejs periudhë prej 5-vjetëve. Zbatimi i projektit do të bëhet nga FKGK.