Vetëvendosje kërkon nga Policia e krimeve ekonomike t’i hetojë shpenzimet e Qeverisë Haradinaj

Lëvizja Vetëvendosje ka kritikuar raportin vjetor financiar të Qeverisë për vitin 2018 të publikuar së fundi.

Deputetja e Vetëvendosjes, Arbërie Nagavci në një konferencë për media ka thënë se ky raport dëshmon se keqpërdorimit e kësaj Qeverie po shtohen çdo ditë e më shumë. Këtu ajo ka përmendur shpenzimet e Qeverisë në udhëtime zyrtare, në dreka e darka, në paga të të punësuarve me kontrata mbi vepër e shumë shpenzime tjera, transmeton Koha Ditore.

Nagavci ka thënë se më e keqja është se nuk ka asnjë tendencë nga kjo Qeveri për ta përmirësuar situatën ekonomike në vend.

Reklama e sponzorizuar

“Qeveria po përpiqet këto ditë që pasukses të demantojë të dhënat se janë zvogëluar vendet e punës e që nuk qëndron edhe pse gjendja e ekonomisë po përkeqësohet çdo ditë e më shumë. Në raport shihet se nuk është rritur numri i bizneseve e që do të ndikonte në rritjen e vendeve të punës. Asnjë biznes i madh e i ri nuk u regjistrua vitin që lamë pas por ndoshta Qeveria i është referuar rritjes së vendeve të punës me stërngarkesën që po i bëjnë Telekomit, bordeve dhe ndërmarrjeve publike apo në ministritë e ndryshme”, është shprehur Nagavci.

Ajo i ka ftuar Policinë e krimeve ekonomike që të hulumtojnë raportin vjetor financiar dhe të shohin mënyrën se si Qeveria i ka shpenzuar paratë vitin e kaluar.

Ndërkaq, Edison Jakurti nga Vetëvendosje ka thënë se është shqetësuese se si kjo Qeveri vazhdon të besojë se tempo e rritjes ekonomike përshpejtohet falë rritjes së konsumit pa e shtuar numrin e vendeve të punës.