Marsi i keq për Kosovën: Importoi mbi 280 milionë, eksportoi vetëm 29 milionë

Kosova ka vazhduar të shënoi rritje të deficitit tregtar. Dallimi mes importit dhe eksportit edhe në muajin mars të këtij viti ka qenë i madh. Sipas Agjencisw sw Statistikave të Kosovës eksporti i mallrave në muajin mars kishte vlerën 29.5 milionë euro, ndërsa importi 289.1 milionë euro.

“Të dhënat nga Tregtia e Jashtme të Mallrave në Kosovë tregojnë për një deficit tregtar më të lartë për 13.4% në muajin mars 2019, në raport me periudhën e njëjtë të vitit 2018, gjegjësisht në vlerë prej 259.6 milionë euro, krahasuar me deficitin prej 228.9 milionë Euro në vitin 2018. Eksporti mbulon importin me 10.2%.”.

Eksporti i mallrave në muajin mars 2019 kishte vlerën 29.5 milionë euro, ndërsa importi 289.1 milionë euro, ku sipas ASK-së është një rritje prej 11.8% për eksport, si dhe një rritje prej 13.2% për import, duke krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2018.

Reklama e sponzorizuar

Sipas të dhënave të grupeve kryesore të eksportit: 33.5% të eksporteve e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre; 13.8% e përbëjnë plastika, goma dhe artikujt prej tyre; 12.7% e përbëjnë produktet minerale; 10.6% e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 5.1% e përbëjnë makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike; 5.1% e përbëjnë artikujt e ndryshëm të prodhuar; 4.2% e përbëjnë produktet bimore etj.

Ndërsa, sipas të dhënave të grupeve kryesore për import: 13.4% e përbëjnë produktet minerale; 11.7% e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre; 11.3% e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 10.4% e përbëjnë makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike; 9.4% e përbëjnë mjetet e transportit; 8.1% e përbëjnë produktet e industrisë kimike; 7.3% e përbëjnë plastika, goma dhe artikujt prej tyre etj.

Raportet tregtare me vendet e BE-së

Sipas Agjencisë së Statistikave eksportet e Kosovës në vendet e BE-së arritën në 12.4 milionë Euro, ose rreth 42.0% e eksporteve të përgjithshme, me një rritje prej 37.0%. Partnerët kryesorë për eksportin e mallrave në BE janë: Gjermania (8.3%), Finlanda (7.1%), Holanda (4.1%), Britania e Madhe (2.8%), Italia (2.7%), dhe Sllovenia (2.7).”.

Importet e Kosovës nga vendet e BE-së ishin rreth 145.2 milionë Euro, ose 50.2% e importeve të përgjithshme, me një rritje prej 37.1%. Importet me pjesëmarrje më të lartë ishin nga: Gjermania (13.9%), Greqia (6.9%), Italia (4.9%), Sllovenia (3.0%), Bullgaria (2.7%) etj.

Partneret e Kosovës në eksport dhe import

Në muajin mars 2019, eksportet e Kosovës me vendet e CEFTA-s arritën në 13.9 milionë Euro, ose 47.3% të eksporteve të përgjithshme, me një rritje prej 2.1%. Partnerët kryesorë për eksport nga vendet e CEFTA-s janë: Shqipëria (18.6%), Maqedonia (14.2%), Mali i Zi (7.1%), dhe Serbia (5.3%).

Ndërsa, importet nga vendet e CEFTA-s në muajin mars 2018, arritën në 43.5 milionë Euro, ose 15.1% të importeve të përgjithshme, me një rënie prej (-34.1%). Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import ishin: Maqedonia (7.3%), Shqipëria (7.0%) dhe Serbia (0.2 %).

Ndërkaq, eksportet e Kosovës me vendet e tjera të botës arritën në 3.1 milionë Euro, ose 10.7%. Si partnerë më të rëndësishëm nga këto vende për eksport vlen të përmendet Zvicra (7.1%).

Ndërsa importet e Kosovës me vendet e tjera të botës arritën në 100.3 milionë Euro, ose 34.7%. Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import në këtë grup ishin: Turqia (13.2%) dhe Kina (10.4%).