Kosovarët borxh deri në fyt nëpër banka, rreth 3 miliardë euro kredi

Qytetarët e Kosovës po vazhdojnë të hyn në kredi në banka. Në Bankën Qendrore të Kosovës kanë treguar se kosovarët deri në muajin shkurt të këtij viti kanë marr kredi rreth 3 miliardë euro, duke shënuar rritje vjetore prej 11.4 për qind.

“Sektori bankar, si komponenti kryesor i sistemit financiar në vend, në vitet e fundit ka përshpejtuar rritjen e aktivitetit kreditues, duke dhënë kështu kontribut të shtuar në financimin e rritjes ekonomike në Kosovë. Krahas rritjes së aktivitetit kreditor, përmirësim të mëtejmë shfaqën edhe treguesit e shëndetit financiar, gjë që flet për rritje të shëndetshme të këtij sektori. Kreditë e sektorit bankar, në muajin shkurt 2019, arritën shumën prej 2.77 miliardë eurosh, duke shënuar rritje vjetore prej 11.4%”, kanë thënë në BQK për Monitor.al.

Sipas BQK rritja e përshpejtuar e aktivitetit kreditues u shoqërua me zvogëlimin e normave të interesit në kredi, të cilat në muajin shkurt 2019 kishin një mesatare prej 6.8 për qind.

Reklama e sponzorizuar

“Treguesit e shëndetit financiar vazhduan të tregojnë nivel të lartë të qëndrueshmërisë së këtij sektori në të gjitha aspektet. Vlen të theksohet posaçërisht cilësia shumë e mirë e portofolit kreditor me një normë të kredive joperformuese prej vetëm 2.6% në shkurt 2019, e cila shënoi rënie të mëtejshme në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar prej 3.1%.”.

Por, edhe me depozitat qytetarët e Kosovës nuk qëndrojnë keq. Në BQK kanë treguar se depozitat kanë arritur në 3.36 miliardë euro.

“Burimi kryesor i financimit të aktivitetit të sektorit bankar vazhdojnë të jenë edhe depozitat, vlera e të cilave gjatë kësaj periudhe, arriti në 3.36 miliardë euro, që paraqet një rritje vjetore prej 8.2 për qind”.

Në të njëjtën kohë, sektori bankar gjatë vitit 2018 vazhdoi të karakterizohet me performancë të mirë financiare, duke mbajtur nivel të lartë të profitabilitetit. Vlera e fitimit neto në vitin 2018 ishte 87 milionë euro, që përkon me një rritje vjetore prej 1.9 për qind. /Monitor/