Ministria që udhëhiqet nga NISMA ‘investon’ në fshatin e Limajt

Fshati Banjë i Malishevës, vendlindja e zëvendës kryeministrit Fatmir Limaj, shumë shpejt do të shndërrohet në fshat biznesor. Aty, si dhe në dy fshatra tjera të Malishevës, në afat rekord do të nisin punimet për ndërtimin e zonës ekonomike të kësaj komune.

Ndonëse komuna e Malishevës është e fundit që është bërë me zonë ekonomike, një ministri e udhëhequr nga Nisma Social Demokrate i ka nisur tashmë procedurat për ndërtimin dhe funksionalizimin e saj, shkruan Buletini Ekonomik.

Në shumicën e zonave tjera, të cilat ka vite që janë shpallur të tilla, nuk është investuar ende asnjë centë.

Reklama e sponzorizuar

Por në rastin e Malishevës, Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, që udhëhiqet nga Endrit Shala, është treguar më efikase. Tashmë është bërë shpallja e tenderit, dhe pritet vetëm përzedhja e kompanisë që do t’i kryejë punimet.

Tenderi i cili titullohet “Zona Ekonomike nëpër Kosovë”, parashikohet të jetë 1.5 milionë euro dhe ka për qëllim funksionalizimin e katër zonave ekonomike, në mesin e të cilave edhe atë për Komunën e Malishevës. Sipas njoftimit paraprak për këtë tender, përvec Malishevës, do të funksionalizohen edhe zonat ekonomike në Skenderaj, Kamenicë e Ranillug.

Qeveria e Kosovës, në qershor të vitit të kaluar, përmes një vendimi, e bëri me zonë ekonomike edhe Komunën e Mlaishevës. Vendimi u mor me kërkesë të kësaj komune, por i njëjti nuk kaloi pa u kritikuar nga opinioni publik. Kjo për faktin se zona ekonomike u përqendrua pikërisht në fshatin e kryetarit të Nismës Social Demokrate, Fatmir Limaj.

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka në mbledhjen kur ishte diskuatuar kjo pikë, pati kritikuar kërkesat e reja për zona ekonomike, meqë shumë prej atyre ekzistueseve akoma nuk janë funksionalizuar.

 “Krejt në rregull është zonë ekonomike, mirëpo ne kemi tri zona tjera ekonomike që janë shpallë vite më parë, në Mitrovicë, Prizren e Gjakovë, s`u bo kurrgjë me buxhet ose shumë pak është ba, dhe ato janë pjesë që është dashtë të zhvillohen me kohë dhe jo të dalim në zona shtesë, pa i zhvillu këto aktualet, pasi që ka toka të shtetit, e ku ka mundësi me i zhvillu ma tepër”, pati thënë Lluka.

Ndryshe zona ekonomike në Malishevë prek tri fshatrat e Komunës së Malishevës, përfshi edhe fshatin e zëvendës kryeministrit Fatmir Limaj. /Buletini Ekonomik/