Nitaj: Shteti dëmtohet me shpërdorimet milionëshe jo me të punësuar partiakë

Nënkryetari i AAK-së, Muharrem Nitaj, ka reaguar sot pas punësimeve që janë bërë në Telekomin e Kosovës, djali i të cilit është i punësuar në Telekom. Nitaj thotë se këto punësime nuk janë bërë në baza partiake, gjithashtu shton se interesi publik dëmtohet me shpërdorime milionëshe, e jo me njerëz që marrin një kontratë pune qoftë edhe me pagë minimale.

Nitaj ka shkruar se nuk po e kupton fushatën që sipas tij po sulmohen njerëzit që marrin 300-400 euro pagë, sikur ky të jetë rreziku me të cilin po përballet Kosova.

Ai shton se interesi publik dëmtohet me shpërdorime milionëshe e me nepotizëm të nivelit të lartë.

Reklama e sponzorizuar

“Nuk po mundem ta kuptoj ketë fushatën qe te sulmohen njerëzit qe marrin 3-400 euro rroge me djersen e tyre, sikur kjo qenka rreziku me te cilin po përballet shteti! Interesi publik dëmtohet me shpërdorime milionëshe, me nepotizëm të nivelit të lartë e jo pse dikush merr një kontrate pune, qofte edhe te përkohshme me page minimale!”, ka shkruar Nitaj.

Nitaj thotë se është e pandershme të drejtohet gishti drejt AAK-së, pasi sipas tij, kjo parti në krahasim me të tjerat është engjëll.

“Është e pandershme qe te drejtohet gishti nga AAK, sepse ne krahasim me te tjeret AAK rezulton te jete engjëll. Por edhe kjo fushate do te marre fund dhe unë shpresoj shume qe shpërdorimet te denoncohen ne thelb e jo te provohet qe të behën balanca me shashka! Krejt këta që na kanë rënë në qafë për punësime, s’kanë lënë institucion pa pushtuar me qindra militantë dhe atë në pozita udhëheqëse”, ka shkruar Nitaj në Facebook.

Ndryshe djali i Muharrem Nitajt, Genc Nitaj, mori kontratën më 28 gusht të vitit të kaluar, si zyrtar i marketingut në Telekom.

Po ashtu, në Telekom është i punësuar edhe bashkëshorti i bashkëpartiakes së Nitajt, Donika Kada Bujupit.