Apostolova: Agjenda europiane s’realizohet me persona pa kredibilitet

Shefja e Bashkimit Evropian në Kosovë, Natalya Apostolova ka thënë të enjten në Prishtinë, se do të jenë shumë të zëshëm për emërimet politike që bëhen në krye të agjencioneve të pavarura në Kosovë.

Në një tryezë diskutimi për zbatimin e Agjendës për Reforma Evropiane, përfaqësuesja e BE-së në Kosovë ka thënë se reformat nuk mund të zhvillohen nëse nuk ka kredibilitet për personat që marrin poste të larta.

Grupi për Studime Juridike dhe Politike, Instituti GAP dhe Instituti i Prishtinës për Studime Politike ka prezantuar sot raportin e monitorimit të vitit 2018 për ERA1.

Reklama e sponzorizuar

Përfaqësuesja e Bashkimit Evropian në Kosovë, Natalya Apostolova duke përmendur disa prioritete në kuadër të ERA1 që nuk janë përmbushur, foli për emërimet në krye të agjencioneve të pavarura, për të cilat tha se nuk janë në përputhje me vlerat e larta të BE.

“Ka disa prioritete në kuadër të ERA 1 që nuk janë përmbush, dhe këtu dëshiroj t’i theksoj disa prej tyre, që janë shumë të rëndësishme për zhvillimin e Kosovës. Për shembull nën shtyllën e qeverisjes, procesi i përzgjedhjes në baza jo politike, ne jemi shumë të zëshëm dhe u premtoj që do të mbesim të zëshëm në të gjitha këto emërime që ne i konsiderojmë që nuk janë në përputhje me vlerat e larta evropiane. Nuk do të komentoj këtë, dhe e dimë për çfarë po flasim, por një gjë e tillë është e rëndësishme, sepse nëse nuk kemi kredibilitet që personat të cilët do të marrin këto poste të larta, me të cilat përgjegjësia do të jetë e rëndësishme për reformat që do të zhvillohen, atëherë çfarë reforme do të zhvillojmë, andaj na përkrahni në këtë drejtim”, tha ajo.

Apostolova tha se përkundër vonesave në zbatim, ERA1 ka dal të jetë frytdhënëse për Kosovën.

Ajo tha se Kosova është në pritje të raportit të progresit, dhe lansimit të ERA 2.

“Ne jemi në një moment për fillimin, lansimin e ‘ERA 2’ dhe mendoj se do të bëjmë një ceremoni, ku kushtet politike do të lejojnë, po flas për tarifat që janë vendosur dhe të cilat për momentin po na tërheqin disa prej atyre ceremonive që do të donim të zhvillojmë”, tha ajo.

Ndërsa Dhurata Hoxha, ministre për Integrime Evropiane tha se zbatimi i ERA1 ka ngecur në disa pjesë edhe për shkak të probleme politike me shtetin fqinj, që si pasojë e kësaj nuk është arritur të finalizohen disa marrëveshje ndërkombëtare.

“Janë disa nga marrëveshjet ndërkombëtare që nuk kemi arritur t’i finalizojmë për shkak të problemeve politike që i kemi me shtetin fqinj, dhe kjo pastaj rezulton që disa nga prioritetet e ERA-s nuk janë zbatuar plotësisht. A kemi bërë ne gjithçka, jemi munduar që t’i arrijmë t’i plotësojmë këto-po, mirëpo prapë se prapë vullneti nuk ka qenë nga ana tjetër, që këto marrëveshje të kalohen”, tha Hoxha.

Në tryezën për diskutim ishte edhe Gerrie Willems, ambasadore e Mbretërisë së Holandës në Kosovë. Ajo kishte disa porosi për institucionet dhe popullin e Kosovës.

“Nuk mund të ua dorëzojmë gjërat në një ‘pjatë të argjendtë’. Puna do të bëhet në Kosovë dhe një pjesë e qeverisë dhe Kuvendit, shoqëria civile, qytetarët, por edhe komuniteti i biznesit kanë një rol qenësor në këtë. Të gjitha këto duhet të shkojnë krah për krah me njerëz tjetrën, janë komplekse po ju nuk jeni të parët që po i bëni këto gjëra komplekse, mësoni nga të tjerët, ka shumë shembuj që i kemi përreth, dhe si komunitet ndërkombëtar dhe duke pas udhëheqje nga BE në krye, ne shtetet anëtare këtu jemi për të asistuar, punën për ju nuk mundemi me bë, ju duhet ta bëni”, tha Willems.

Monitorimi i zbatimit të Agjendës për Reforma Evropiane që u bë nga tri organizata të shoqërisë civile, ka pasur qëllim vlerësimin e arritjeve dhe ngecjeve në kuadër të ERA-s.

Raporti nxjerr se ngecjet më të mëdha kanë të bëjnë me legjislacionin në Kuvend, rreth marrëveshjeve regjionale për energjinë dhe transportin, si dhe implementimin e kurrikulave nëpër shkolla.

Gjithashtu, sipas raportit, mungesa e vullnetit politik për shtytje të procesit është një nga problemet e identifikuara, transmeton kp.

Organizatat rekomandojnë që Ministria për Integrimin Evropian në mbledhjet që do të mbahen në komisionet në Kuvend ta ushtrojë presionin e saj si Ministri, ku mban rolin monitorues të kësaj agjende.

Gjithashtu, organizatat propozojnë që Komisioni për Integrime Evropiane në Kuvendin e Republikës së Kosovës të bëjë një analizë të brendshme se ku qëndron arsyeja për vonesat e vazhdueshme.

Kujtojmë se Marrëveshja për Stabilizim Asociim është marrëveshja e parë kontraktuese mes Kosovës dhe Bashkimit Evropian, dhe meqë e njëjta është mjaft sfiduese në realizim, Qeveria e Kosovës dhe Komisioni Evropian kishin hartuar Agjendën për Reforma Evropiane.