MASHT-i pagoi trefish më shtrenjtë sesa çmimi real akomodimin në Durrës

Gati trefish më shtrenjtë sesa çmimi real ka paguar Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT) për akomodimin e një grupi që e kishte dërguar në njërin nga hotelet në Durrës të Shqipërisë.

Derisa për institucionet dhe organizatat e tjera çmimi për akomodimin njëditor për një person në hotel “Bonita” kushton 18 euro, grupit të MASHT-it i ka kushtuar 60 euro për person, shkruan sot “Koha Ditore”.

Për më tepër, grupi prej afro 200 vetash, të cilin MASHT-i e kishte dërguar 3 javë më parë në këtë hotel për vlerësimin e teksteve të reja shkollore nuk e kishte përfunduar punën për të cilën kishte shkuar.

Reklama e sponzorizuar

Për këtë arsye, dy javë më parë grupi e ka vazhduar punën për tri ditë në hotel “Emerald” në Prishtinë. Ndërkaq, javën e kaluar rreth 20 veta prej këtij grupi janë rikthyer sërish në Durrës, ku kanë qëndruar nga e marta deri të dielën.

Sipas një përllogaritjeje, i bie se vetëm në hotel “Bonita” kësaj radhe MASHT-it i ka kushtuar 6 mijë euro akomodimi për 5 ditë i afro 20 zyrtarëve. Ndërkaq, 3 javë më parë, kjo ministri kishte paguar mbi 60 mijë euro për qëndrimin e rreth 200 personave në këtë hotel. Atje kanë qëndruar 8 ditë.