Telekomi për një vit lidhi 202 kontrata mbi vepër

Telekomi i Kosovës, edhe pse në krizë financiare, nuk ka hezituar të lidhë qindra kontrata mbi vepër, duke punësuar qindra persona.

Bazuar në dokumentet e Telekomit, deri më 12 shkurt të këtij viti, 202 persona kanë lidhur kontratë me këtë ndërmarrje për punë specifike.

Në këtë dokument të siguruar nga “Kohavisioni”, specifikohen se vetëm 3 persona janë zgjedhur sipas konkursit publik.

Reklama e sponzorizuar

Më 1 dhjetor 2018, Armend Osaj, mori pozitën e zyrtarit kryesor të Financave dhe Thesarit, ndërsa 6 ditë më vonë, sipas të njëjtave procedura, Shehide Qerimi Lushtaku u zgjodh si zyrtare e Auditimit të Brendshëm.

Aty specifikohet se më 31 dhjetor, Bedri Istrefi u emërua u.d i kryeshefit ekzekutiv. Istrefi, më 22 shkurt u zgjodh për një mandat të plotë kryeshef i kompanisë.

39 kontrata për punës specifike u lidhën në Departamentin Teknik, 31 në atë të Marketingut dhe 10 në zyrën e drejtorit menaxhues.

Më së shumti të punësuar me kontratë mbi vepër janë agjentët e shitjes, numri i të cilëve aktualisht në Telekom është 111.

Ndërkaq, sa i përket fëmijëve të Osman Ejupit, “Kohavisioni” ka parë komunikimin e Menaxhmentit të Telekomit më Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik, ku specifikohet se si të katërtit fillimisht kanë qenë të angazhuar me kontratë për punë dhe detyra specifike nga qershori i 2018-s, kurse në fund të vitit u punësuan me kontrata të rregullta.

Aty thuhet se ata ishin si mbështetës në kampanjën e shitjes gjatë muajve të verës për shkak të rritjes së shitjeve nëpër pikat shitëse të ndryshme.

Ndërkaq, në dhjetor të 2018-s Artina, Ardiani e Armendi Ejupi, kaluan nga kontrata specifike në atë të përhershme pasi u vlerësuan të suksesshëm në këtë konkurs.

E motra e tyre Arxhina se vendin e rregullt të punës e mori nga konkursi i janarit të këtij viti ku kishin konkurruar 117 kandidatë, por nuk specifikohen se sa kandidatë u pranuan.

Aty thuhet se Argjina Islami, mori 169 pikë dhe është kualifikuar nga komisioni si kandidate e suksesshëm.

Telekomi është arsyetuar se nuk janë pyetur kandidatët për emrin e prindërve, e rrjedhimisht në dosjen e ish-anëtarit të Bordit, Osman Ejupi, nuk figuron që i njëjti të ketë deklaruar emrat e familjarëve të tij.

Megjithëkëtë, gjatë periudhës dhjetor 2018 – shkurt 2019, Telekomi ka larguar nga puna 8 persona derisa 3 të tjerë janë pensionuar.