Kosova mbulon vetëm 20% të nevojave për grurë

Kosova po vuan pasojat e infrastrukturës së dobët të kultivimit të grurit por edhe të motit të paqëndrueshëm, faktorë të cilët kanë ulur në mënyrë të rrezikshme sasinë e nevojshme për popullsinë.

Sipas Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rajonal në Kosovë, të mbjellat në 30 komuna gjatë vitit të kaluar arritën në 74 mijë hektarë, por bujqit lokalë paralajmërojnë se vetëm 20 për qind e sasisë ka mundur të mbulojë nevojat e popullatës, raporton “OraNews”.

Megjithëse toka në vend konsiderohet shumë prodhimtare, vlerësohet se kushtet klimatike kanë pakësuar rendimentin e saj duke dëmtuar madje edhe cilësinë e grurit.

Reklama e sponzorizuar

Sipas kryetarit të Federatës Sindikale të Bujqve, Tahir Tahiri, bazuar në zhvillimet e fundit, vendi rrezikon një krizë të furnizimit me bukë nëse autoritetet nuk mendojnë seriozisht për përballimin e situatës.

“Nuk pritet as vitin e ardhshëm me plotësu as 20% të nevojave me grurë”, ka thënë Tahiri.

Ndërkaq, statistikat zyrtare tregojnë se Kosova vijon të importojë sasi të konsiderueshme gruri për përdorim të brendshëm, kryesisht nga Serbia, vend nga i cili importet vetëm vitin e kaluar arritën mbi 130 mijë tonë.