KDI kërkon nga Lekaj të sqarojë kontratën që ia vazhdoi Bechtel&Enkas

Instituti Demokratik i Kosovës, përmes një konference për media, tha se 152 ditë shtesë i dha Ministria e Infrastrukturës Bechtel& Enkas kur nënshkroi aneks kontratën e tretë me datën 5 shtator 2018 për autostradën Prishtinë – Han i Elezit.

KDI, thotë se Kosova në vazhdimësi ka përcjellë deklaratat e ministrit të Infrastrukturës Pal Lekaj, lidhur me përfundimin e punëve lidhur me këtë kontratë.

Sot, gjatë një konference për media, Diana Metushi-Krasniqi nga KDI bëri edhe prezantimin e kësaj aneks kontrate që vërteton një gjë të tillë.

Reklama e sponzorizuar

Ajo ka theksuar se në aneks kontratë, qartazi mund të shihet se Neni 5 zgjatë kohën e përfundimit për 152 ditë, përderisa Neni 9 obligon Qeverinë të mbarojë të gjitha shpronësimet, dhe t’i garantoj kontraktorit qasje në vend punishte për të përfunduar punët.

“Për t’i kuptuar termat e përdorur në aneks kontratë duhet t’i referohemi edhe kontratës kryesore ku neni 8.2 kohën e përfundimit e definon si: Kontraktori do të kompletojë të gjithë punimet, përfundoj secilën pjesë (nëse ka), brenda kohës për përfundimin e punimeve ose seksioneve (pjesëve), duke përfshirë: (a) arritjen e kalimit të testeve pas përfundimit, dhe (b) përfundimin e të gjitha punëve të deklaruara në kontratë si të domosdoshme që punët apo pjesët (seksionet) të konsiderohen si të përfunduara me qëllim të pranim dorëzimit të definuar në nën-klauzolën 10.1 [Pranim-Dorëzimi i punëve dhe seksioneve]”, ka shtuar më tej.

Metushi- Krasniqi ka potencuar se KDI-ja kërkon nga Ministri Lekaj që në vend të mohimit të gjetjeve të KDI-së, të jap sqarime publike se si rritë detyrimi i qeverisë së Kosovës nga 14.78 milionë në vitin 2016 në shumën prej 53.1 milionë euro në vitin 2017.

“Ne kuptojmë se si rezultat i vonesave në realizimin e pagesave ndaj Bechtel& Enkas, Qeveria e Kosovës, bazuar në kontratën bazë, duhet t’i paguaj kontraktorit një kosto shtesë. Aneks kontrata, të cilën po e publikojmë, pranon detyrimet e Qeverisë ndaj Bechtel& Enka, por nuk definon se çfarë mbulon kjo shumë. Neni 3 i kësaj aneks kontrate definon se 53.1 milionë euro është vlera e zgjatjes së afatit të kontratës për periudhën 18 janar – 31 dhjetor 2018, ndërsa nenet 6, 7 dhe 8 thonë se me nënshkrimin e kësaj aneks kontrate kontraktori pranon se nuk do të ketë pretendime lidhur me mungesat buxhetore përgjatë viteve 2014 – 2018”, tha tutje ajo.

KDI, i bënë thirrje organeve të drejtësisë që të hetojnë në mënyrë eksplicite arsyet e humbjes së 53.1 milionë eurove të qytetarëve të Kosovës, si dhe përllogaritjes së shumës prej 53.1 milionë eurove për vazhdim të kontratës 18 janar – 31 dhjetor 2018, përkatësisht 1 qershor 2019.