210 milionë euro do të investohen në linjën hekurudhore Fushë Kosovë-Hani i Elezit

Është nënshkruar kontrata komerciale ndërmjet Infrakos-it dhe Generale Construzioni Ferrovarie, për rehabilitimin e linjës së 10-të hekurudhore, segmenti Fushë Kosovë – Hani i Elezit, investim i cili kap shifrën 210 milionë euro

Rehabilitimi i kësaj linje, që pritet të përfundojë brenda 24 muajve, u tha se do të ndikojë në zhvillimin ekonomik të vendit, ndërkohë që gjatë punimeve në këtë linjë do të krijohen edhe vende të reja të punës.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, tha se e mira e kësaj pune është se do të ketë vende të punës dhe gjenerim ekonomik.

Reklama e sponzorizuar

Haradinaj u shpreh se hekurudhat kanë edhe dy seksione të tjera të nevojshme, ku tha se për ato së shpejti do të ketë nënshkrime të kontratave.

Ai deklaroi se për këto seksione puna do të ndodhë më shpejt dhe se në pranverë të vitit 2021 jo vetëm që do të jetë i përmbyllur seksioni nga Fushë Kosova deri në Han të Elezit, por do të jenë të përfunduara edhe deri në Merdare.

Kryeministri potencoi se do të ishte një lajm i gëzueshëm nëse do të kishte një hekurudhë që do të lidhte Kosovën me Portin e Durrësit, për të cilën tha se për fat të keq kur është bërë autostrada nuk është menduar për trasenë e hekurudhës.
Ndërsa, ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, deklaroi se nga sot do të fillojë implementimi i projektit prej 210 milionë euro, ku me këtë investim trenat mund të zhvillojnë shpejtësi prej 150 kilometra në orë.

Në anën tjetër, kryeshefi ekzekutiv i Infrakos, Agron Thaçi, tha se ky projekt do të ketë efekt jo vetëm në ekonominë dhe mirëqenien e vendit, por edhe të vendeve të rajonit.
Ai u shpreh se rehabilitimi i kësaj linje do të mundësojë lëvizje më të lehtë të qytetarëve, por edhe të mallrave. Po ashtu, ai bëri të ditur se javën tjetër do të lansojnë edhe projektin tjetër prej 40 kilometra dhe deri në fund të vitit 2020 sipas tij do të jenë të përfunduara afërsisht 100 kilometra.

Ndërkaq, Luigi Brusa, shef i Sektorit nga Seksioni i Bashkëpunimit i Zyrës së Komisionit Evropian në Kosovë, tha se janë duke nisur një udhëtim së bashku, i cili do të zhvillohet në tri faza dhe se me këtë ata janë duke bashkuar njerëz./kp