Telekomit po i ikin konsumatorët, rënie në të gjitha kategoritë

0
171

Telekomit të Kosovës po i ikin konsumatorët. Gjendja e rëndë financiare në ndërmarrje dhe mungesa e investimeve kapitale, ka bërë që të këtë rënie të konsumatorëve në të gjitha kategoritë.

Sipas raportit të fundit të Qeverisë mbi përformancën e ndërmarrjeve publike për vitin 2017, numri i konsumatorëve të telefonisë mobile për këtë vit është afro 5.4 për qind më i ulët se viti 2016. Prej 1 milion e 201 mijë e 889 konsumatorë sa ka pasur me 2016, ka rënë në 1 milion e 140 mijë e 54 konsumatorë.

Po ashtu, edhe numri i konsumatorëve për shërbime fikse ka pësuar një rënie në krahasim me vitin 2016, përkatësisht 15 për qind. Kështu prej 42 mijë e 186 konsumatorëve sa ka pasur me 2016, ka rënë në 36 mijë e 636 konsumatorë, shkruan Buletini Ekonomik.

Reklama e sponzorizuar

“Numri i konsumatorëve për shërbime të internetit përfshin numrin e përdoruesve të internetit me qasje fikse dhe qasje mobile. Në këtë treg, gjatë 2017, TK ka zënë vetëm 12.34% të tregut të përgjithshëm, në krahasim me 14% sa kishte gjatë 2016. Ndërsa pjesën tjetër e ka IPKO, Kujtesa dhe të tjerat”, thuhet në dokumentin “Raporti Vjetor 2017 i Ndërmarrjeve Publike Qendrore”, i hartuar nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik. /Buletini Ekonomik/