Raporti i Qeverisë: Telekomi e mbyll 2017-n me 13.9 milionë euro humbje

Telekomi i Kosovës, ndërmarrja publike dikur më profitabilaja në vend, ka vazhduar me përformancë të dobët edhe në vitin 2017, duke e mbyllur vitin me një humbje prej 13.9 milionë euro, përcjell Buletini Ekonomik.

Në përgjithësi, raporti i fundit i Qeverisë së Kosovës mbi përformancën e ndërmarrjve publike, një kopje të të cilit e ka siguruar Buletini Ekonomik, përshkruan gjendje shumë të rëndë në Telekomin e Kosovës.

“Siç shohim më lartë në tabelë, gjatë vitit 2017 kemi më pak të hyra se vitin paraprak për rreth   6%. TK gjatë vitit afarist 2017 e përmbylli vitin me një humbje financiar vjetore prej 13.9 milion euro”, thuhet në dokumentin “Raporti Vjetor 2017 i Ndërmarrjeve Publike Qendrore”, i hartuar nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik.

Reklama e sponzorizuar

Raporti ka kaluar në mbledhjen e fundit të qeverisë dhe shumë shpejt pritet t’i shkojë Kuvendit për shqyrtim.

Ndërkaq, këtë gjendje të rëndë të ndërmarrjes, Qeveria ia ka atribuuar shpenzimeve të mëdha, marrëveshjeve apo kontrata të pafavorshme, numrit të madh të punonjësve me paga të larta, mungesës së një bordi mbikëqyrës si dhe konkurrencës.

“Ndërsa tek shpenzimet shohim që këmi një diferencë shumë të madhe dhe kjo vjen nga shuma e vendimit të Tribunali Ndërkombëtar të Arbitrazhit që vendosi që TK t’i paguajë kompanisë Devolli, pronare e Z-Mobile, një shumë rreth 30 milion euro”, thuhet në raport. /Buletini Ekonomik/